Punimet ndërtimore për ndërtimin e një hapësire të re parkimi prapa objektit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në Shkup po lidhen sërish me një ndërprerje serioze të furnizimit me energji elektrike në qendrën kryeqytetit.
Për gati pesë orë, disa pjesë të zonës qendrore të qytetit kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa ekipet në terren ende po përpiqen ta mënjanojnë defektin.
Ndërprerja ka përfshirë disa objekte, institucione dhe lokale afariste në afërsi të drejtpërdrejtë të vendpunishtes. Për disa orë pa energji elektrike ka mbetur edhe një pjesë e rrugës “Maqedonia”, një nga zonat më të frekuentuara për këmbësorë në Shkup.
Ndër institucionet dhe objektet e prekura janë Gjykata Administrative, një pjesë e objekteve në afërsi të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Enti Shtetëror i Statistikave, disa ndërtesa banimi dhe afariste, si dhe hapësirat e Televizionit 21.
Ajo që shqetëson edhe më shumë është fakti se ky nuk është rasti i parë i tillë. Sipas informacioneve nga terreni, një ndërprerje e ngjashme ka ndodhur edhe para vetëm disa javësh, gjë që ngre pyetjen nëse punimet ndërtimore po zhvillohen me kujdesin dhe masat e duhura për mbrojtjen e infrastrukturës ekzistuese nëntokësore.
Në vendin ku ka ndodhur defekti, prej disa orësh po intervenojnë ekipet e EVN-së, së bashku me punëtorët e kompanisë ndërtimore të angazhuar për ndërtimin e parkingut.
Pavarësisht ndërhyrjeve që kanë zgjatur me orë të tëra, problemi ende nuk është zgjidhur. Disa nga punëtorët në terren, jozyrtarisht, kanë theksuar se nuk bëhet fjalë për një defekt veçanërisht të ndërlikuar, gjë që e shton edhe më shumë pyetjen se përse sanimi i tij po zgjat kaq shumë.
Si është e mundur që punimet për ndërtimin e një parkingu të shkaktojnë sërish ndërprerje të energjisë elektrike për disa orë, pikërisht në qendër të kryeqytetit?
A është përcaktuar siç duhet vendndodhja e instalimeve elektrike nëntokësore para fillimit të punimeve? A janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e tyre? Dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse konstatohet se defekti është pasojë e kryerjes së pakujdesshme të punimeve ndërtimore?
Mbetet të përcaktohet shkaku i saktë i ndërprerjes, si dhe nëse ekziston lidhje e drejtpërdrejtë mes punimeve ndërtimore dhe dëmtimit të infrastrukturës elektrike.
Qytetarët dhe institucionet presin përgjigje, por mbi të gjitha, furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në qendër të Shkupit.
