Nënkryetari i BDI-së, Arjanit Hoxha, ka denoncuar udhëzime të dyshuara për përjashtimin e gjuhës shqipe nga komunikimi zyrtar në Institutin e Shëndetit Publik, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe ndërhyrje të menjëhershme të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
Në një konferencë për media, Hoxha deklaroi se, sipas informacioneve nga burime brenda institucionit, drejtoresha Marija Andonovska ka urdhëruar sektorët që komunikimi zyrtar të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.
Sipas tij, drejtuesit e sektorëve janë udhëzuar t’i njoftojnë punonjësit përmes mesazheve telefonike se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranohen dhe se të vlefshme do të konsiderohen vetëm dokumentet në maqedonisht.
“Me çfarë të drejte një drejtoreshë e një institucioni shtetëror merr guximin të shpallë të pavlefshme dokumentet që përmbajnë gjuhën shqipe? Kush ia ka dhënë kompetencën të vendoset mbi ligjin?”, pyeti Hoxha.
Ai drejtoi kritika edhe ndaj VLEN-it, të cilin e akuzoi për heshtje dhe mosshfrytëzim të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e përdorimit zyrtar të shqipes.
“Çfarë kuptimi ka pjesëmarrja e tyre në Qeveri nëse nuk janë në gjendje të mbrojnë as respektimin e një ligji që tashmë është në fuqi?”, deklaroi nënkryetari i BDI-së.
Hoxha iu referua edhe një raporti të fundit të Këshillit të Evropës, për të cilin tha se evidenton probleme me respektimin e të drejtave gjuhësore. Sipas tij, gjetjet duhet të shërbejnë si alarm për Qeverinë.
Ai i kërkoi ekzekutivit të shqyrtojë veprimet e funksionarëve të vet, ndërsa Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve i bëri thirrje të ndërmarrë mbikëqyrje dhe masa juridike ndaj shkelësve, pa dallim funksioni apo përkatësie politike.
“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk është çështje dëshire dhe as objekt pazari politik. Ai është detyrim që duhet të respektohet nga të gjithë”, theksoi Hoxha.
/Monitor.mk
