Ylli francez i xhudos dhe pesë herë fituesi i medaljes së artë olimpike, Teddy Riner, ka njoftuar synimin për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në Francë.
Ai e ka përshkruar veten si një kandidat që nuk anon as nga e majta dhe as nga e djathta, por që synon “t’i bashkojë njerëzit”.
Më shumë se pesë muaj para zgjedhjeve të prillit-majit, në të cilat do të zgjidhet pasardhësi i Emmanuel Macronit, gara po shndërrohet në një përballje mes ekstremeve politike. Sondazhet tregojnë dobësimin e qendrës politike, duke sugjeruar se udhëheqësja e së djathtës ekstreme dhe partisë kundër emigracionit, Tubimi Kombëtar (RN), Marine Le Pen, mund të jetë kandidatja kryesore, e ndjekur nga lideri i së majtës radikale, Jean-Luc Melenchon.
Riner i bashkohet një liste të gjatë kandidatësh, ndërsa analistët e cilësojnë atë si një kandidat me pak gjasa për fitore, për shkak të mungesës së përvojës politike dhe mbështetjes nga ndonjë parti.
Të hënën, ai u përpoq ta paraqiste veten si një figurë që mund të bashkojë njerëzit dhe të sjellë në Francë “arsyen e shëndoshë, vendosmërinë dhe drejtësinë”.
“E di se çfarë do të thonë njerëzit për mua: ‘Është i çmendur. Nuk vjen nga establishmenti. Nuk i njeh rregullat. Nuk ka bërë kurrë politikë’”, ka thënë Riner në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Ai ka renditur problemet me të cilat përballet vendi, nga borxhi gjithnjë në rritje te shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe pasiguria për të ardhmen e atyre që nuk kanë lidhjet e duhura, mbiemrin e duhur apo ngjyrën e duhur të lëkurës.
“Nëse refuzimi për ta ulur kokën dhe kundërshtimi i kaosit më bëjnë të çmendur, atëherë po, jam plotësisht i çmendur”, ka deklaruar ai.
Njoftimi vjen rreth gjashtë javë pasi Riner, i cili shpesh është votuar si sportisti më i popullarizuar në Francë, u përball me një valë fyerjesh raciste dhe ngacmimesh në internet. Reagimet erdhën pasi ai deklaroi në një emision televiziv sportiv se ndiente “ankth” për rritjen e së djathtës ekstreme në Francë.
Kandidimi i tij vjen gjithashtu në një kohë kur vendi është tronditur nga protestat kundër rritjes së kostos së jetesës, ndërsa vazhdojnë edhe protestat e nxënësve për gjendjen e rënduar dhe mbipopullimin e klasave në shkolla.
Riner, 37 vjeç, i lindur në territorin francez të Guadelupës në Karaibe dhe i rritur në Paris, iu referua përvojës së tij shumëvjeçare në rrëzimin dhe mbajtjen nën kontroll të kundërshtarëve në xhudo për të argumentuar pse duhet të zgjidhet president.
“Lufta ka qenë gjithmonë pjesë e imja. E di çfarë do të thotë të luftosh, të rrëzohesh dhe të ngrihesh gjithmonë përsëri”, ka thënë ai.
“Franca nuk ka nevojë për një politikan profesionist që reciton mësime dhe grindet gjatë gjithë ditës”, ka përfunduar ai.
