Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe qendërmbrojtësi Ardian Ismajli dolën pasditen e sotme në konferencën zyrtare për mediat, në prag të ndeshjes ndaj Finlandës, që do të zhvillohet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

Ardian Ismajli u shpreh se Kombëtarja është përgatitur shumë mirë për sfidën ndaj Finlandës dhe se objektivi është të ruajë vendin e parë në grup, duke theksuar se gjithçka varet nga vetë skuadra. Mbrojtësi vlerësoi mbështetjen e tifozëve, foli për rëndësinë e shmangies së gabimeve dhe nënvizoi se lojtarët duhet të japin maksimumin në fushë për të arritur fitoren dhe për të bërë krenarë tifozët shqiptarë.

Ndeshja e radhës? – Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë. E dimë rëndësinë. E kemi obligim për vendin e parë. Jemi ekip më kualitativ se të gjithë në grupin tonë, por duhet ta dëshmojmë në fushë. Ndeshjen e parë në Finlandë, besoj që hiq kartonin e kuq, kemi bërë ndeshjen ndoshta më të mirë në vitet e fundit. Episodet e bëjnë të veten dhe me atë episod, ndeshja iku si iku. E rëndësishme që jemi në vend të parë, gjithçka varet nga ne dhe shpresojmë që ta mbarojmë ashtu siç kemi filluar.

Ndeshja e parë me Finlandën? –  Dy goditje standarde, dy gola, të dyja nga fazat e goditjeve të këndit. Besoj se nuk patëm fat në këtë ndeshje, sepse, me të vërtetë, zhvilluam një paraqitje shumë të mirë, edhe pse luajtëm me një lojtar më pak. Patëm dy raste, mund të them, për ta përmbysur ndeshjen, por megjithatë fati nuk ishte me ne.

Normalisht, duhet të jemi më të kujdesshëm, sidomos tani që e dimë se skuadra kundërshtare ka goditje shumë të mira standarde. Duhet të shmangim sa më shumë faullet pranë zonës sonë, por kjo varet edhe nga kundërshtari, sepse ndonjëherë edhe kundërshtarët të detyrojnë të shkaktosh faulle.

Presioni në “Air Albania”? – “Unë nuk besoj se çunat kanë panik ose, si të thuash, stres kur luajnë para tifozëve tanë. Ata janë lojtari ynë i dymbëdhjetë. Kemi pasur gjithmonë mbështetje të madhe, sepse tifozët na kanë përkrahur jashtëzakonisht shumë.

Tifozët kanë qenë gjithmonë pozitivë, edhe kur nuk kemi qenë në momentet tona jo më të mira. Na kanë mbështetur jashtëzakonisht shumë dhe në fund duam t’ua shpërblejmë me fitore.

Ndonjëherë më e rëndësishmja është fitorja. Nuk ka rëndësi se si luan, sepse fitorja i mbyll të gjitha problemet. Por unë besoj se çdo lojtar që luan këtu, ka një ndjenjë të veçantë, sepse vërtet kemi arritur gjithmonë rezultate fantastike”.

Gabimet individuale ndaj San Marinos? – Gabimet ndodhin, futbolli pa gabime nuk ka, por shpresojmë të shmangim sa më shumë ato gabime të vogla që ndonjëherë na kushtojnë. Duhet të jemi më të qartë në veprimet tona.

Besoj se edhe trajneri, së bashku me stafin e tij, ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, sidomos pas katër ndeshjeve që zhvilluam një muaj më parë. Ata kanë analizuar gjithçka dhe kanë bërë atë që bën një trajner me stafin e tij. Na i kanë treguar këto gjëra përmes videove dhe gjatë stërvitjeve. Shpresojmë të zbatojmë atë që kërkon trajneri dhe kjo të na sjellë rezultat.

Si ndikon skema e Maran në repartin defensiv? – Duhet të kuptojmë se sistemi i mëparshëm ishte shumë defanziv dhe, mund të them, edhe shumë statik. Kërkohej që secili lojtar të qëndronte në pozicionin e vet dhe të ruante detyrat që kishte. Por ai futboll nuk ekziston më. Futbolli modern kërkon lëvizje, ashtu siç po kërkon trajneri aktual, Maran.

Kjo na ndihmon shumë, sidomos nëse arrijmë të ushtrojmë presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit, sepse mund ta vendosim atë në vështirësi dhe ta detyrojmë të bëjë gabime. Ne jemi një ekip që mund të luajmë një kundër një gjatë gjithë kohës dhe nuk kemi probleme me këtë aspekt. Trajneri i ka parë cilësitë tona pozitive dhe ka vendosur të luajmë në këtë mënyrë.

Nëse qëndrojmë shumë prapa, atëherë kundërshtari ka më shumë mundësi të na rrezikojë me krosime dhe topa pas shpinës së mbrojtjes, gjë që e bën më të vështirë lojën tonë.

Përgjegjësia dhe pesha e fanellës? – Është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe të veshësh fanellën e Kombëtares shqiptare. Sidomos kur luan për Shqipërinë, askush nuk duhet të hezitojë të vijë dhe të japë maksimumin për të përfaqësuar vendin e tij.

E kam thënë edhe më parë, nuk ka më ekipe të vogla në futbollin e sotëm. Edhe pse skuadrat që përmende janë në pozita të ulëta në renditje, secila Kombëtare luan futboll dhe duhet respektuar.

Shpresoj që tifozët të vazhdojnë të na mbështesin. E kam thënë edhe më herët, para tre vitesh kemi luajtur në Ishujt Faroe, ku kishim rreth 500 tifozë shqiptarë. Kjo është diçka e mrekullueshme, sidomos duke pasur parasysh distancën prej afërsisht 5.000 kilometrash. Ata nuk mungojnë asnjëherë.

Pika jonë më e fortë është mbështetja e tifozëve dhe kjo varet sigurisht edhe nga rezultatet, por edhe kur rezultatet nuk janë ato që dëshirojmë, ata na kanë përkrahur gjithmonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Për këtë jam shumë i bindur, pasi ma kanë treguar gjatë gjithë këtyre viteve.

Ajo që na takon neve është të dalim në fushë, të japim shpirtin dhe të bëjmë krenarë tifozët. Pastaj, sigurisht, ajo që ka më shumë rëndësi është rezultati”.

The post Ismajli tregon objektivin kryesor për sfidën ndaj Finlandës dhe ka një thirrje për shokët e skuadrës appeared first on Telesport.