Reth katër milionë punonjës në Spanjë iu bashkuan këtë të mërkurë një greve të përgjithshme, në shenjë proteste ndaj krizës së strehimit dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve të qirave.

Greva e mbështetur nga dy sindikatat më të mëdha në vend përfshiu sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndërsa protestuesit dolën në rrugë, pavarësisht motit të keq.

Kjo është greva e parë e përgjithshme që mbahet në Spanjë që prej vitit 2012, kur punonjësit protestuan kundër masave shtrënguese gjatë krizës së borxhit në eurozonë.

Në Madrid dhe Barcelonë, shumë dyqane mbyllën qepenat, ndërsa në disa zona pati edhe përplasje me policinë.

Pjesëmarrja më e lartë u raportua në porte dhe në industrinë automobilistike, ku u ndërprenë plotësisht punimet në disa fabrika.

Sipas Bankës Qendrore, Spanjës i mungojnë rreth 750 mijë banesa, ndërsa deficiti pritet të kalojë një milion deri në vitin 2028. Qiraja mesatare mujore  prej 1.176 eurosh, përbën pothuajse të gjithë pagën mesatare mujore të një të riu.

Ndërkohë, protestat zhvillohen në prag të zgjedhjeve të parakoshme që mbahen këtë muaj e ku kryeministri Pedro Sanchez po përballet me presion politik me të djathtën ekstreme, e cila mund të katapultohet në pushtet.