Shqipëria ka marrë një fitore me shumë vlera në “Air Albania”, duke mposhtur Finlandën me rezultatin 2-0 në sfidën e parafundit të Grupit C në Ligën e Kombeve.

Kuqezinjtë kanë bërë detyrën përpara tifozëve të tyre dhe tashmë janë vetëm një pikë larg sigurimit të vendit të parë në grup.

Ernest Muçi mori përsipër të zhbllokonte takimin, duke realizuar një gol fantastik me të djathtën brenda zonës. Një goditje spektakolare që la të shtangur Hradeckyn dhe ndezi festën në “Air Albania”. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 për Shqipërinë.

Kuqezinjtë nuk u mjaftuan me kaq dhe e nisën fraksionin e dytë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në minutën e 50-të, Rei Manaj dyfishoi shifrat me një goditje të saktë me kokë, pas një krosimi perfekt të Elseid Hysajt.

Shqipëria festoi një fitore që e ngjit në krye të grupit me 12 pikë pas pesë ndeshjesh.

Tashmë gjithçka do të vendoset në sfidën e fundit ndaj Bjellorusisë, që do të luhet më 15 nëntor në transfertë. Kuqezinjve u mjafton vetëm një pikë për të siguruar vendin e parë, ndërsa Bjellorusia, pas fitores 2-0 ndaj San Marinos, ndodhet në kuotën e 10 pikëve.