Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi sot se Shteteve të Bashkuara nuk u nevojitet një marrëveshje me Iranin. Në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur se i ka kërkuar zëvendëspresidentit JD Vance që ta përqendrojë gjithë vëmendjen te ajo që i cilësoi si krime dhe korrupsion në qytetet dhe shtetet e drejtuara nga demokratët.
“Nuk na nevojitet marrëveshje me Iranin. Ato ditë kanë kaluar prej kohësh. Ne i kemi paratë e tyre, qindra miliarda dollarë, dhe kemi edhe Ngushticën e tyre!”, shkroi Trump në rrjetet sociale, duke iu referuar Ngushticës së Hormuzit.
Trump tha gjithashtu se i ka kërkuar Vance-it të përqendrohet në luftimin e mashtrimeve të pretenduara në qytetet dhe shtetet e drejtuara nga demokratët.
“Buxheti ynë mund të balancohet shpejt nëse korrigjohen këto aktivitete kriminale në shkallë të gjerë. KORRUPSIONI është në gjakun e udhëheqjes demokrate!”, shkroi presidenti amerikan.
Ndërkohë, gazeta “Wall Street Journal”, duke iu referuar burimeve anonime, raportoi dje se JD Vance po shqyrton mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë me sekretarin e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei.
Sipas gazetës, takimi mund të jetë pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të rifilluar bisedimet me Teheranin dhe për t’i dhënë fund luftës me Iranin.
