Ernest Muçi ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores së Shqipërisë ndaj Finlandës, duke vulosur triumfin 2-0 me një gol spektakolar. Pas ndeshjes, sulmuesi kuqezi foli për momentin e tij, dëshirën për të luajtur në një nga pesë kampionatet më të forta të Europës, marrëdhënien me shokët e skuadrës dhe besimin që po fiton në kombëtare. Ai nuk i kurseu as batutat, duke shpresuar që Mohamed Salah ta ndihmojë të realizojë një ëndërr: transferimin te Liverpool:
“Jam shumë i lumtur që po tregoj më të mirën. Shpresoj që t’ia arrij një ditë të transferohem në një nga pesë ligat më të forta në botë. Ishte një nga golat më të bukur në karrierën time. Portieri po e priste shumë goditjen, më erdhi topi mirë, e godita dhe jam i lumtur. Këmbën tani e kam mirë, por nesër do ta shikoj më mirë.
Ishte një ndërhyrje shumë e keqe. Ndihem çdo ndeshje edhe më mirë me shokët e ekipit. Ndeshje pas ndeshjeje po përshtatem gjithnjë e më mirë me grupin. Është një ndjenjë shumë e mirë të jem pjesë e këtij ekipi.
Jam shumë i motivuar për të bërë më të mirën në kombëtare. Kam ende shumë dëshirë të luaj për të. Shpresoj të shënoj edhe gola të tjerë, normalisht. Shpresoj që Salah të më propozojë te Liverpool. Është lojtar shumë i zgjuar. Ndihem shumë mirë me të, në fushë dhe jashtë saj. Është një njeri që bën shumë për ekipin.
Ishte fitore e bukur. Kaluam në avantazh, shënuam edhe golin e dytë në pjesën e dytë. Tri pikë shumë të rëndësishme për vendin e parë. Si te Trabzonspori, edhe këtu ka lojtarë me shumë cilësi dhe unë thjesht mund të përmirësohem duke luajtur me lojtarë të tillë. Jam shumë i lumtur që edhe këtu e ndihmoj ekipin të fitojë sa më shumë ndeshje.
Në fillimin e lojës, shumica e ekipeve mundohen të mbyllin fushën. Për të qenë pjesë e lojës dhe për të krijuar superioritet, duhet të dalësh nga qendra. Edhe sot ishim katër mesfushorë në fushë. Mendova më shumë t’ua lija topin atyre dhe të merrja pozicione në zona të rrezikshme. Mendoj se zhvilluam një nga ndeshjet tona më të mira dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.
Për mua, po, ky është momenti ideal, sepse ndiej besimin e shokëve të ekipit, trajnerit dhe tifozëve. Kam kaluar shumë gjëra për të ardhur deri në këtë ditë”.
The post Eurogol, emocione dhe ëndrra e madhe, Muçi: Shpresoj që Salah të më propozojë te Liverpool appeared first on Telesport.
