Me iniciativë të këshilltarëve të AKI-së dhe me përkrahjen e këshilltarëve të VLEN-it, në seancën e Këshillit të Komunës së Butelit u propozua që në rendin e ditës të shtohet një pikë e veçantë lidhur me vendosjen e mbishkrimit në gjuhën shqipe në tabelën e Mega Parkut të Butelit.

Përkundër mbështetjes së të gjithë 8 këshilltarëve shqiptarë, propozimi nuk u miratua, pasi 11 këshilltarët maqedonas abstenuan, duke bërë që kërkesa e tyre të mos marrë shumicën e nevojshme.

Për këtë arsye, në shenjë proteste dhe pakënaqësie ndaj mosmbështetjes së kësaj kërkese, këshilltarët e AKI-së vendosën ta lëshojnë seancën. Menjëherë pas tyre, në shenjë solidarizimi dhe në mbështetje të qëndrimit të përbashkët, seancën e lëshuan edhe këshilltarët e VLEN-it.

Qëndrimi i këshilltarëve shqiptar në komunën e Butelit mbetet i qartë: gjuha shqipe të respektohet dhe të përdoret zyrtarisht në Komunën e Butelit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.