Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë janë lënduar në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 10:15 në Shqipëri, pranë tunelit të Murrizit, në afërsi të fshatit Xibër. Në mesin e viktimave është edhe 42-vjeçarja Maltina Ferati (M.F.) nga Tetova.

Sipas të dhënave fillestare të policisë shqiptare, aksidenti ka ndodhur si pasojë e një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes dy veturave, për shkaqe që ende nuk janë bërë të ditura.

Në vendin e ngjarjes kanë humbur jetën 42-vjeçari B.O., i cili drejtonte njërën veturë, si dhe tetovarja Ferati, e cila ndodhej si bashkudhëtare në veturën tjetër, të drejtuar nga 45-vjeçari A.F.

Pesë personat e tjerë të përfshirë në aksident janë dërguar në spital për kontrolle mjekësore dhe trajtim.

Ekipet policore dhe hetimore po kryejnë hetime në vendin e aksidentit për të përcaktuar rrethanat në të cilat ka ndodhur përplasja. Deri më tani nuk ka detaje zyrtare as për shkaqet e aksidentit, e as për gjendjen e të lënduarve të hospitalizuar.