Një debat politik në televizionin shtetëror të Armenisë ka përfunduar me përleshje fizike mes një gazetari dhe një politologu. Gazetari Boris Muradyan dhe politologu Harutyun Mkrtchyan janë përfshirë në një konflikt gjatë emisionit, pasi fillimisht kanë shkëmbyer fyerje dhe akuza.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, debati verbal është përshkallëzuar në përplasje fizike, ku të dy janë përleshur në mes të studios. Personat e tjerë të pranishëm në emision kanë ndërhyrë për t’i ndarë.
Konflikti ka ndodhur gjatë emisionit politik “Debati i Madh”, të transmetuar më 15 nëntor, ku diskutohej agjenda politike e opozitës armene. Gjatë debatit, Mkrtchyan vuri në pikëpyetje integritetin politik të gazetarit dhe e ofendoi me shprehje të rënda. Pas këtyre fjalëve, Murazi u ngrit nga vendi, iu afrua bashkëbiseduesit dhe e goditi me grusht, duke shkaktuar një përleshje të shkurtër në studio. Pjesëmarrësit e tjerë dhe stafi televiziv ndërhynë për t’i ndarë.
Ajo që shkaktoi reagime të veçanta ishte fakti se emisioni ishte incizuar paraprakisht, por televizioni publik armen vendosi ta transmetojë të gjithë përplasjen, pa i larguar as fyerjet dhe as skenat e dhunës.
Komisioni për Televizion dhe Radio në Armeni reagoi duke kritikuar televizionin publik për vendimin që të transmetonte pamjet e papërpunuara. Sipas Komisionit, dhuna dhe fyerjet nuk mund të justifikohen me intensitetin e debatit apo dëshirën për të rritur shikueshmërinë.
