Irlanda ka fituar 3-0 ndaj Kosovës në sfidën e fundit në grup për Ligën B, në Ligën e Kombeve, duke i lënë Dardanët në vendin e tretë, që do të thotë me shumë mundësi do të jenë në vazon e tretë për shortin e eliminatoreve të Euro 2028, si dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë në Ligën B.

Përsa i përket takimit, Në minutën e 26-të, Kreshnik Hajrizi imiton gjestin e famshëm të Luiz Suarez dhe ndal topin me dorë brenda zonës, që po shkonte drejt rrjetës.

Arbitri e përjashton me karton të kuq qendërmbrojtësin dardan dhe jep penallti për irlandezët. Godet Troy Parott, topi përfundon në rrjetë. Irlanda kalon në avantazh 1-0. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0.

Në fillim të pjesës së dytë, Irlanda dyfishon shifrat sërish nga pika e bardhë e penalltisë. Këtë herë për faullin e Aro Muric ndaj Troy Parott, ky i fundit tregohet i saktë për herë të dytë nga 11-metërshi.

Në minutën e 75-të, ishte Jack Moylan që shënoi me kokë golin e tretë dhe vulosi njëherë e mirë fitoren e Irlandës. Në ndeshjen tjetër të grupit, Izraeli barazoi 1-1 ndaj Austrisë.

Austria e mbyll e para me 12 pikë dhe ngjitet direkt në Ligën A. Irlanda e dyta me 8 pikë dhe shkon në play-off. Kosova e treta me 6 pikë, qëndron në Ligën B. Izraeli me 4 pikë përfundon në Ligën C.

SHIKOGOLAT

The post Kosova nuk ia del dot ndaj Irlandës, humbje e thellë për Dardanët në Dublin (video) appeared first on Telesport.