Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po përballet me kërkesat për nisjen e një hetimi, pas pretendimeve se një anëtar i stafit të tij ka ndikuar në arrestimin e tre aktivistëve arabë gjatë ditës së zgjedhjeve.
Raportimi u publikua gjatë fundjavës në një emision televiziv izraelit. Sipas pretendimeve, një bashkëpunëtor i Netanyahut i kishte përcjellë informacione policisë kundër qytetarëve arabë, me synimin për të ndikuar në procesin zgjedhor. Zyra e kryeministrit i ka mohuar këto akuza.
Në qendër të polemikave është arrestimi i tre aktivistëve të partisë arabe Raam, në jug të Izraelit, më 27 tetor, pikërisht në ditën e zgjedhjeve. Ata dyshoheshin për përfshirje në një skemë të blerjes së votave.
Gjatë asaj dite, Netanyahu dhe partia e tij Likud publikuan vazhdimisht informacione për arrestimet, duke akuzuar Raam-in se po përpiqej të “vjedhte zgjedhjet”.
Megjithatë, gjykatat më vonë rrëzuan kërkesat e policisë për mbajtjen në paraburgim të tre të dyshuarve. Sipas vendimeve gjyqësore, arrestimet ishin kryer pa një urdhër të vlefshëm kontrolli apo arresti.
Të tre aktivistët janë liruar, ndërsa pretendimet për përfshirjen e stafit të Netanyahut kanë nxitur kërkesa për hetim të mëtejshëm.
