Boksieri Jai Opetaia është tërhequr nga ndeshja e tij kundër Deontay Wilder. Ylli australian i peshës “cruiserweight” (pesha deri 92kg) pritej të ngjitej në peshën e rëndë për herë të parë, për t’u përballur me Wilder, ish-kampionin e botës.

Kjo përballje do të zhvillohet më 11 dhjetor në Kardif, në të njëjtën mbrëmje kur do të zhvillohej edhe sfida mes Tyson Fury e Anthony Joshua. Megjithatë, një dëmtim në dorë, i cili u përkeqësua gjatë stërvitjes, e ka detyruar Opetaia të tërhiqet.

Promotori i tij Mick Francis, u shpreh: “Në emër të Jai Opetaia dhe ekipit të tij, mund të konfirmoj se Jai, fatkeqësisht, është detyruar të tërhiqet nga përballja e planifikuar për në dhjetor kundër Deontay Wilder”.

“Jai pësoi një dëmtim në dorë gjatë ndeshjes së tij në shtator kundër Noel Mikaelian, dhe ky dëmtim është përkeqësuar më pas gjatë stërvitjes. Kjo është një pengesë zhgënjyese për Jai, i cili e priste me padurim atë që premtonte të ishte një ndeshje spektakolare”, tha më tej promotori.

“Fokusi i tij tani është rikuperimi i plotë dhe vazhdimi i rrugëtimit për t’u bërë kampion i padiskutueshëm i botës në peshën ‘cruiserweight’“, përfundoi ai.

Edhe vetë Opetaia foli, duke deklaruar: “Kërkoj ndjesë për të gjithë, e veçanërisht për ‘Bronze Bomber’ (nofka e Wilder) dhe ekipin e tij për tërheqjen nga dueli. Si luftëtar, e kuptoj mirë këtë ndjesi dhe është vërtet zhgënjyese”.

“Gjithmonë jam krenuar me faktin se pranoj të ndeshem me këdo, kudo… Kjo është situata. Qëllimi nuk ka ndryshuar kurrë dhe, siç e kam thënë gjithmonë, mbetet i njëjtë: Të bëhem kampion i padiskutueshëm!”, tha ai.

The post Kampioni i botës i dëmtuar, anullohet dueli i peshës së rëndë mes Opetaia dhe Wilder appeared first on Telesport.