Ndryshimet në Ligjin për praktikat e padrejta tregtare parashikojnë gjoba dhjetë herë më të larta, deri në 200 mijë euro. Ndryshimet pritet të miratohen vitin e ardhshëm.
Siç deklaroi sot ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ligji zbatohet prej dhjetë muajsh dhe ka dhënë rezultate, por jo në nivelin e pritshmërive.
“Ndryshimet po përgatiten në bashkëpunim me të gjitha institucionet kompetente dhe sektorin e biznesit. Kemi mendime të ndryshme, por do të dalim me një qëndrim konkret”, theksoi ministri gjatë një takimi informues me gazetarët.
Me ndryshimet ligjore do të përfshihen edhe marketet, përkatësisht zinxhirët e tregtisë, si dhe distributorët.
Durmishi paralajmëroi gjithashtu miratimin e një ligji të ri për veprimtarinë hotelierike.
