Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje prindërve, kujdestarëve dhe mësimdhënësve të tregojnë kujdes ndaj komunitetit të dhunshëm në internet “764”, i cili shënjestron fëmijët dhe persona të tjerë të cenueshëm.
Sipas MPB-së, anëtarët afrohen përmes rrjeteve sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe lojërave në internet, shpesh duke u paraqitur si bashkëmoshatarë. Pasi fitojnë besimin e fëmijëve, përdorin kërcënime dhe shantazh për t’i detyruar të dërgojnë materiale intime, të vetëlëndohen apo të kryejnë veprime të dhunshme.
Tërheqja në vetvete, frika, fshehtësia gjatë përdorimit të telefonit, mesazhet kërcënuese dhe lëndimet e pashpjegueshme janë ndër shenjat që kërkojnë vëmendje. Këto ndryshime nuk dëshmojnë domosdoshmërisht përfshirje, por nuk duhen neglizhuar.
Prindërve u rekomandohet të flasin hapur me fëmijët për kontaktet dhe aktivitetet në internet. Fëmijët duhet ta dinë se mund të kërkojnë ndihmë pa u fajësuar apo ndëshkuar.
Çdo dyshim duhet raportuar te Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale i MPB-së. Duhet të ruhen mesazhet kërcënuese, emrat e përdoruesve dhe lidhjet përkatëse, duke shmangur përballjen me kërcënuesit.
Materialet intime ku shfaqen të mitur nuk duhet të shkarkohen apo shpërndahen. MPB thekson se reagimi në kohë dhe komunikimi me fëmijët janë thelbësorë për mbrojtjen e tyre. /Monitor.mk
