Parlamenti britanik i ka bërë thirrje qeverisë të miratojë një ligj të posaçëm për Inteligjencën Artificiale dhe të krijojë një rregullator të pavarur për mbikëqyrjen e kësaj teknologjie.
Komiteti i Përbashkët për të Drejtat e Njeriut paralajmëron se kuadri aktual ligjor nuk është i mjaftueshëm për të përballuar rreziqet që Inteligjenca Artificiale paraqet për të drejtat e njeriut.
Në raportin e publikuar, komiteti propozon që sistemet e IA-së të klasifikohen sipas nivelit të rrezikut që paraqesin. Për sistemet me rrezik më të lartë do të vendoseshin detyrime më të rrepta, ndërsa ato që ndikojnë drejtpërdrejt te individët dhe komunitetet duhet të ofrojnë më shumë transparencë për mënyrën e funksionimit të tyre.
Propozimi parasheh edhe krijimin e një institucioni të pavarur, i cili do të monitoronte rreziqet, do të pranonte ankesat e qytetarëve dhe do të kishte kompetenca për të ndëshkuar shkeljet.
Kryetari i komitetit, Alex Sobel, kritikoi reagimin e ngadaltë të qeverisë britanike, duke thënë se nuk ka ndjenjë të mjaftueshme urgjence për trajtimin e rreziqeve që sjell kjo teknologji.
Sipas tij, qasja e pritjes dhe vëzhgimit mund të bëjë që problemet të identifikohen tepër vonë, kurse një rregullator i posaçëm do të krijonte një kuadër më të qartë për zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale.
Ai iu referua edhe një raporti tjetër parlamentar, i cili gjithashtu kërkon ndërhyrje të qeverisë përballë rreziqeve që paraqet zhvillimi i shpejtë i kësaj teknologjie.
