Udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje të cilësuar si “fitore për të dyja palët”, gjatë një samiti ku kryeministri britanik Andy Burnham kërkoi forcimin e marrëdhënieve me bllokun evropian, dhjetë vjet pas referendumit për Brexit-in.

Paketa e re e marrëveshjeve parashikon mundësi të reja për të rinjtë që të jetojnë, studiojnë dhe udhëtojnë në Evropë, lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve dhe heqjen e barrierave tregtare për produktet ushqimore. Burnham e cilësoi marrëveshjen si “historike”, duke deklaruar se ajo i jep fund një dekade përçarjeje dhe ndihmon në rindërtimin e marrëdhënieve me partnerët evropianë.

“Jemi dhjetë vjet pas Brexit-it, por kjo është një ditë e mirë për Britaninë dhe për Evropën. Marrëveshja që kemi arritur së bashku është një fitore për të dyja palët”, tha ai në konferencën për shtyp pas samitit në Bruksel.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmendi gjithashtu mundësitë për bashkëpunim në sigurinë ekonomike, mbrojtje, inteligjencën artificiale dhe luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Ajo e cilësoi marrëveshjen si një pikë kthese në marrëdhëniet mes Britanisë dhe BE-së. Pas përfundimit të negociatave, qeveria britanike bëri të ditur se të dyja palët do të punojnë për zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa bisedimet do të vijojnë edhe për disa çështje që ende nuk kanë marrë zgjidhje.

Një marrëdhënie më e afërt me Evropën

Qeveria laburiste, e cila mori pushtetin në vitin 2024 nën drejtimin e Keir Starmer, kishte premtuar përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, pa e përmbysur vendimin për Brexit-in. Pas largimit të Starmerit nga posti i kryeministrit, Andy Burnham ka mbajtur një qëndrim më të hapur ndaj Evropës, duke shprehur edhe dëshirën që Britania e Madhe të ribashkohet me BE-në gjatë jetës së tij.

Megjithatë, ai ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në Bashkimin Evropian gjatë këtij mandati parlamentar, si dhe rikthimin në tregun e përbashkët apo në bashkimin doganor. Burnham është zotuar të nisë diskutimet me BE-në për mundësitë e një marrëdhënieje më të ngushtë në të ardhmen.

Kostoja e Brexit-it

Ekonomistët vlerësojnë se largimi nga Bashkimi Evropian ka ndikuar negativisht në potencialin e rritjes ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas vlerësimeve, humbjet mund të variojnë nga 2% deri në 8% të prodhimit ekonomik. Për këtë arsye, forcimi i marrëdhënieve me BE-në është kthyer në një çështje të rëndësishme për qeverinë britanike, pasi Bashkimi Evropian mbetet partneri më i madh tregtar i vendit.

Megjithatë, disa çështje mbeten ende të pazgjidhura. Një prej tyre lidhet me tarifat e shkollimit për studentët evropianë që ndjekin universitetet në Britani. Palët kanë rënë dakord të vijojnë negociatat për këtë çështje, me synimin për të arritur një marrëveshje brenda gjashtë muajve. Ndërkohë, një skemë e re do t’u mundësojë deri në 100 mijë të rinjve nga secila palë të jetojnë në Britani ose në vendet e BE-së për një periudhë deri në tre vjet, për qëllime pune, studimi ose udhëtimi. Skema pritet të jetë funksionale jo më vonë se janari i vitit 2030.

Kundërshtimet ndaj afrimit me BE-në

Pavarësisht marrëveshjes, afrimi me Bashkimin Evropian vijon të kundërshtohet nga partitë dhe grupet që mbështesin Brexit-in. Udhëheqësja e konservatorëve, Kemi Badenoch, kritikoi Burnhamin, duke argumentuar se problemet aktuale të Britanisë nuk lidhen me faktin nëse vendi është apo jo pjesë e BE-së. Edhe Nigel Farage, drejtuesi i partisë Reform UK dhe një prej figurave kryesore të fushatës për Brexit-in, deklaroi se Burnham nuk ka mandat për të negociuar marrëdhënie më të ngushta me Brukselin.

Nga ana tjetër, sondazhet e cituara nga CNN tregojnë se ideja e ribashkimit me Bashkimin Evropian gëzon mbështetje të konsiderueshme në opinionin publik. Megjithatë, ekzistojnë rezerva lidhur me kostot financiare, mundësinë e anëtarësimit në eurozonë dhe procesin e gjatë të negociatave.

Një marrëveshje me kufizime

Deri tani, afrimi mes Britanisë dhe BE-së ka sjellë disa rezultate konkrete, përfshirë rikthimin e Britanisë në programin e shkëmbimit studentor Erasmus, që pritet të nisë vitin e ardhshëm, por me një kosto më të lartë se më parë. Burnham vlerëson se marrëveshjet e reja mund t’i shtojnë ekonomisë britanike deri në 0.5% të PBB-së dhe të lehtësojnë eksportin e produkteve ushqimore.

Megjithatë, zyrtarët britanikë kanë pranuar se marrëveshjet do të kërkojnë që Mbretëria e Bashkuar të përshtatet me rregullat e BE-së për produktet, pa pasur mundësinë të ndikojë në hartimin e tyre. Kjo rikthen debatin e vjetër mes pavarësisë në vendimmarrje dhe përfitimeve nga tregtia më e lehtë me Evropën. 

Ndërkohë, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se negociatat e ardhshme nuk do të jenë të lehta, duke kujtuar se largimi i Britanisë nga BE-ja ka lënë pasoja në marrëdhëniet mes palëve./CNN