Nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) thonë se kanë siguruar lejen për ndërtimin e objektit të ri administrativ në pronën e tyre, në afërsi të Kalasë së Shkupit, përcjell TV21. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i BFI-së, Reisul Ulema Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili këtë e cilësoi si një arritje të rëndësishme institucionale, pas shumë vitesh përpjekjesh.
Sipas BFI-së, objekti i ri do të shërbejë për drejtoritë dhe njësitë administrative të institucionit, me qëllim modernizimin e kushteve të punës dhe përmirësimin e shërbimeve.
“Kjo arritje nuk duhet parë vetëm si realizim i një projekti ndërtimor apo si ngritja e një objekti të ri administrativ. Ajo përfaqëson një investim në të ardhmen institucionale, në forcimin e kapaciteteve organizative dhe në përmirësimin e shërbimeve që Bashkësia Fetare Islame u ofron besimtarëve dhe shoqërisë në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e BFI-së.
BFI gjithashtu ka bërë të ditur se po punohet për vendosjen e gurthemelit të objektit administrativ, si dhe të një salle sportive në SHAM “Medreseja Isa Beu”, në Kondovë të Komunës së Sarajit.
