Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Financave, borxhi i maturuar dhe i papaguar në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 712,86 milionë euro. Pjesën më të madhe të detyrimeve, prej 281,98 milionë eurosh, e kanë ndërmarrjet publike dhe kompanitë në pronësi shtetërore, të ndjekura nga institucionet publike shëndetësore me 157,18 milionë euro, ndërmarrjet komunale me 105,53 milionë euro dhe komunat me 93,51 milionë euro.
Në mesin e dhjetë debitorëve më të mëdhenj individualë janë Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura, me 91,55 milionë euro borxhe, HK Transport me 87,17 milionë euro dhe ESM-ja me 40,31 milionë euro. Në këtë listë janë edhe Ujësjellësi dhe Kanalizimi i Shkupit, si dhe komunat e Gostivarit dhe Tetovës. Nga borxhi i përgjithshëm, 344,15 milionë euro u detyrohen subjekteve të sektorit publik, ndërsa 332,44 milionë euro sektorit privat, shoqatave dhe organizatave joqeveritare. Përveç detyrimeve të maturuara, janë raportuar edhe borxhe të pamaturuara prej qindra milionë eurosh për vitin aktual dhe dy vitet e ardhshme./TV21
