Reagimeve për organizimin e manifestimit të Ditës së Alfabetit Shqip dhe patronatit të shkollës fillore “22 Nëntori” në Hasanbeg i është bashkuar edhe Adil Mamuti, vëllai i dëshmorit Ali Mamuti, i cili shpreh zhgënjimin e tij për mënyrën se si u organizua kjo ngjarje.
Manifestimi, i mbajtur në Kinemanë e lagjes Maxhari, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, është vënë në pikëpyetje nga Mamuti për shkak se moderimi, sipas tij, u zhvillua edhe në gjuhën maqedonase pa pas pjesmares maqedon?
Në reagimin e tij, Adil Mamuti ngre pikëpyetje për karakterin e manifestimit dhe përgjegjësinë e përfaqësuesve institucionalë të pranishëm.
“Çfarë përfaqësonte prania e Afrim Gashit në këtë manifestim, nëse pikërisht aty nuk u ruajt karakteri shqiptar i festës?”, shtron pyetjen Mamuti.
Ai thekson se Afrim Gashi, si kryetar i Kuvendit dhe përfaqësues i shqiptarëve në institucionin më të lartë ligjvënës, nuk ishte thjesht një mysafir i zakonshëm, por prania e tij shoqërohej edhe me përgjegjësi publike.
“Respekti ndaj gjuhëve të tjera është i padiskutueshëm, por 22 Nëntori është festë e alfabetit tonë, e historisë sonë dhe e identitetit tonë kombëtar”, thuhet në reagimin e tij.

Adil Mamuti kërkon që Afrim Gashi të sqarojë qëndrimin e tij lidhur me mënyrën e organizimit të manifestimit, duke vënë në pah se përfaqësimi institucional nuk duhet të kufizohet vetëm në pjesëmarrje në aktivitete, por edhe në qëndrimin ndaj vlerave që ato përfaqësojnë.
Reagimi merr një dimension edhe më të ndjeshëm për faktin se bëhet fjalë për një familje që ka dhënë dëshmor për çështjen kombëtare. Hasanbegu ka historinë e vet të sakrificës dhe pjesëmarrjes në luftën e fundit, prandaj mënyra e përkujtimit të datave me rëndësi kombëtare mbetet çështje e ndjeshme për shumë familje të kësaj zone.
Tashmë mbetet të shihet nëse kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, apo udhëheqësia e shkollës “22 Nëntori” do të japin një sqarim lidhur me kritikat e ngritura për organizimin e manifestimit.
Reagimi i plot:
Në Çento, në manifestimin e organizuar nga shkolla “22 Nëntori”, kushtuar Ditës së Alfabetit dhe patronatit të shkollës, moderimi u zhvillua edhe në gjuhën maqedonase, ndërsa në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Pyetja është e thjeshtë: Çfarë përfaqësonte prania e Afrim Gashit në këtë manifestim, nëse pikërisht aty nuk u ruajt karakteri shqiptar i festës?
Afrim Gashi nuk ishte thjesht një mysafir i zakonshëm. Si kryetar i Kuvendit dhe përfaqësues i shqiptarëve në institucionin më të lartë ligjvënës, prania e tij shoqërohej edhe me një përgjegjësi publike.
Respekti ndaj gjuhëve të tjera është i padiskutueshëm, por 22 Nëntori është festë e alfabetit tonë, e historisë sonë dhe e identitetit tonë kombëtar.
Kur edhe në ditën e alfabetit shqiptar nuk arrijmë ta ruajmë simbolikën shqiptare, atëherë çfarë po mbrojmë dhe çfarë po përfaqësojmë?
Afrim Gashi duhet të sqarojë se cili ishte qëndrimi i tij për këtë mënyrë organizimi. Sepse përfaqësimi nuk matet vetëm me praninë në manifestime, por edhe me qëndrimin ndaj vlerave që ato manifestime përfaqësojnë.
Festojnë Alfabetin Shqip pa flamurin shqiptar! Çfarë po ndodh në shkollën „22 Nëntori” në Hasanbeg?
