Trajneri i Borussia Dortmund, Niko Kovac, i ka dërguar një mesazh të qartë Arsenal para përballjes së shumëpritur në Champions League, duke theksuar se skuadra e tij ka cilësinë e duhur për t’i shkaktuar probleme kryesuesve të Premier League. Dueli në “Emirates” vë përballë dy ekipet që aktualisht po diktojnë ritmin në Gjermani dhe Angli.
Ai theksoi besimin që mbizotëron te lojtarët e tij. “Sigurisht, jemi plotësisht të vetëdijshëm se sa i vështirë është ky mision. Por, edhe ne jemi një kundërshtar i vështirë dhe do t’i kemi mundësitë tona. Kemi cilësinë për të marrë atë që duam, pra, pikët. Për ta arritur këtë, duhet të luajmë ndeshjen tonë më të mirë, si me topin ashtu edhe pa të, sepse Arsenali ka lojtarë vërtet të shkëlqyer,” deklaroi Kovac.
Trajneri i Dortmund beson se sulmuesit e tij kanë kreativitetin e mjaftueshëm për të gjetur rrugën drejt golit, duke shtuar se një barazim pa gola është pak i mundshëm, duke pasur parasysh talentin e madh sulmues që zotërojnë të dyja skuadrat.
“Arsenal është një ekip shumë, shumë i mirë. Nëse fiton kampionatin anglez me gjithë ata lojtarë të nivelit të lartë, atëherë është e qartë se je i aftë për diçka të madhe. Dhe Arsenal është i aftë për shumë, shumë gjëra”, shtoi trajneri kroat.
Më tej, ai tha: “Duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur midis disiplinës në mbrojtje dhe kontrollit të lojës me topin. Nuk besoj se ndeshja do të përfundojë 0–0, sepse të dyja skuadrat kanë cilësi të mjaftueshme për të shënuar gola dhe për të krijuar raste”.
Shpresat e Dortmund janë forcuar ndjeshëm falë rikthimit të dy lojtarëve kyç, Serhou Guirassy dhe Carney Chukwuemeka. Të dy morën pjesë në seancën e fundit stërvitore të hënën në qendrën “Brackel”, përpara se skuadra të nisej drejt Londrës.
Trajneri konfirmoi se ata janë të gatshëm, por nuk zbuloi detaje taktike lidhur me formacionin titullar: “Ata janë gati për ndeshjen e sotme, prandaj janë pjesë e skuadrës. Janë plotësisht të gatshëm për të luajtur. Nëse do ta nisin nga minuta e parë apo do të hyjnë më vonë, këtë do ta shohim sot”.
The post Kovac paralajmëron Arsenal: Kemi kapacitetin për t’i mposhtur, s’ka asnjë shans që kjo ndeshje të përfundojë 0-0 appeared first on Telesport.
