Inter do të luajë sot ndeshjen e radhës në Champions League, atë ndaj Shtutgart, në “San Siro”. Para kësaj sfide ka folur Nicolo Barella, që ka bërë një përmbledhje të gjendjes së skuadrës së tij, që rikthehet në fushë pas barazimit 4-4 ndaj Atalanta.

“Kam thënë gjithmonë se skuadra bën diferencën. Që kur jam te Inter, kam pasur gjithmonë lojtarë të fortë përreth, por në një dhomë zhveshjeje të shkëlqyer, e gjithë kjo shkrihet së bashku”, tha Barella.

“Kjo është një dhomë zhveshjeje e mrekullueshme, plot me djem fantastikë. Megjithatë, ka situata të caktuara që duhet t’i kishim menaxhuar më mire. Në fund të fundit, jemi ne ata që zbresim në fushë”, u shpreh mesfushori zikaltër.

Më tej, Barella shton: “Është një përgjegjësi që e mbajmë mbi supe dhe e kemi diskutuar, jemi lojtarë me përvojë. Duhet të vazhdojmë të flasim për ta përmirësuar situatën, por kjo është pjesë e futbollit. Nuk jam i shqetësuar.”

“Jemi një skuadër me lojtarë të nivelit të lartë. Kur shikoj stolin, shoh gjithmonë dikë vërtet të fortë, që e meriton të jetë në fushë. Zëvendësimet nuk janë problem. Çdo lojtar që hyn në lojë ka dhënë gjithmonë një kontribut për skuadrën”, tha ai.

“Kur e gjen veten me shpinë pas murit, përpiqesh t’i japësh një shtysë vetes, është më e lehtë në atë mënyrë. Që kur jam tek Inter, mentaliteti ka qenë gjithmonë ai i të konkurruarit në çdo front”, tha Barella.

“Shumë pak skuadra arrijnë të qëndrojnë në majë për dhjetë vite rresht. Është krejtësisht e natyrshme që një klub si Inter të ketë përjetuar rënie në periudha të caktuara, për t’u ngritur sërish më pas”, u shpreh mesfushori zikaltër.

The post Barella: Nuk jam i shqetësuar për Inter, ata që zbresin në fushë dhe ata që janë në stol janë të mrekullueshëm appeared first on Telesport.