Kompania gjermane “Bayer” njoftoi planet për të investuar rreth 1 miliard euro (afërsisht 1.1 miliardë dollarë amerikanë) në Kinë deri në vitin 2030, duke theksuar besimin afatgjatë në kapacitetin e Kinës për inovacion farmaceutik, në mjedisin e politikave për zhvillimin e barnave dhe në potencialin e tregut, shkruan “Xinhua”.
Investimi do të përfshijë kapacitetet mjekësore, digjitalizimin, prodhimin dhe zinxhirët e furnizimit, duke i mundësuar kompanisë të zgjerojë praninë në Kinë, të ofrojë ilaçe inovative për më shumë pacientë vendas dhe të integrojë më tej pikat e forta të Kinës në fushën e inovacionit brenda rrjetit të saj global.
Foto nga VCG
Sipas planit, “Bayer” do të investojë deri në 500 milionë euro për të zgjeruar qendrën e prodhimit dhe furnizimit farmaceutik në Pekin, investimi më i madh i vetëm i kompanisë në sektorin farmaceutik në Kinë deri më sot.
Sipas kompanisë, objekti i zgjeruar do të shtojë kapacitete fleksibël prodhimi për ilaçet kardiovaskulare dhe produktet onkologjike të së ardhmes, ndërsa prodhimi pritet të fillojë që në vitin 2032.
“Kina është një nga tregjet më të rëndësishme për biznesin farmaceutik të Bayer-it. Ky investim i planifikuar pasqyron forcën e biznesit tonë në Kinë dhe besimin tonë në zhvillimin e saj afatgjatë”,- deklaroi Stefan Oelrich, anëtar i bordit drejtues të “Bayer AG” dhe president i divizionit farmaceutik të kompanisë.
Foto nga VCG
“Bayer” e ka zgjeruar vazhdimisht veprimtarinë farmaceutike në Kinë, duke përfshirë kërkimin dhe zhvillimin, prodhimin dhe inovacionin. Gjatë dekadës së fundit, kompania ka realizuar më shumë se 110 projekte të përbashkëta kërkimore me institucione të ndryshme, përfshirë Universitetin e Pekinit dhe Universitetin Tsinghua, të cilat mbulojnë fusha që nga kërkimi bazë e deri te zhvillimi i barnave.
