Kryeministri në detyrë i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është takuar të dielën në mëngjes me liderin e opozitës, Gadi Eisenkot, për të zhvilluar bisedime me qëllim zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve të muajit të kaluar, shkruan “Jerusalem Post”.
Të shtunën, Netanyahu deklaroi se do të pajtohej që Eisenkot të bëhej fillimisht kryeministër, si pjesë e një qeverie të unitetit kombëtar me rotacion.
Partia centriste Yashar e Eisenkotit dhe tri parti të tjera opozitare hebraike fituan 48 ulëse në zgjedhjet e tetorit. Blloku i Netanyahut fitoi 53 ulëse, por asnjëri prej tyre nuk arriti shumicën në Knesset, parlamentin prej 120 deputetësh.
Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor për ta formuar qeverinë.
Në një postim në rrjetet sociale të shtunën, Netanyahu tha se “përgjegjësia ime si udhëheqës më obligon të lë gjithçka mënjanë, përfshirë edhe parimin e partisë më të madhe”, duke shtuar se fillimisht do të shërbente si “kryeministër zëvendësues”.,Eisenkot, ish-shef i ushtrisë, reagoi menjëherë duke e ftuar kryeministrin në detyrë, Netanyahu, në “negociata të mirëfillta dhe të përshpejtuara”.
Kjo vjen pasi Eisenkot e akuzoi të premten partinë e djathtë Likud të Netanyahut se po i zvarriste negociatat për formimin e koalicionit.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, tha se gjatë javës pas zgjedhjeve ishte konsultuar me të gjitha partitë, përpara se t’i jepte Eisenkotit 28 ditë kohë për formimin e qeverisë.
Dy aleanca të udhëhequra nga partitë arabe, Lista e Bashkuar Arabe dhe Lista e Përbashkët, fituan së bashku një numër rekord prej 19 ulësesh, pas rritjes së pjesëmarrjes në votime të qytetarëve arabë.
Kjo u ka dhënë atyre mundësinë të bëhen përcaktuese për formimin e qeverisë. Megjithatë, të gjitha partitë hebraike, me përjashtim të njërës, ishin zotuar para zgjedhjeve se nuk do të bashkëpunonin me to për formimin e qeverisë.
Në një intervistë për televizionin izraelit Channel 12 të shtunën, lideri i partisë së moderuar islamiste Raam, Mansour Abbas, la të kuptohej se ai dhe partia e tij e konsiderojnë Hamasin si “organizatë terroriste”. Ai konfirmoi se kishte votuar për një projektligj të bashkësponsorizuar nga Raam, në të cilin përfshihej ky përcaktim. Një veprim i tillë mund t’i hapë rrugën partisë së tij për t’iu bashkuar një koalicioni që do ta largonte Netanyahun nga pushteti.
Eisenkot ka shënuar njëfarë përparimi drejt sigurimit të shumicës së nevojshme, duke arritur marrëveshje për koalicion me partinë Yisrael Beiteinu dhe Demokratët.
Anëtari i katërt i bllokut të tij, partia Beyachad, udhëhiqet nga ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett, i cili të enjten deklaroi se mbështet formimin e një qeverie të unitetit me pjesëmarrjen e Likudit, ku Eisenkot do të shërbente fillimisht si kryeministër.
Pas deklaratave të Netanyahut të shtunën, Bennett tha se Netanyahu kishte marrë vendimin e duhur duke qenë “i gatshëm t’i bashkohet një qeverie uniteti të udhëhequr nga Eisenkot, një qeveri e bazuar në aleancën e atyre që i shërbejnë vendit”.
Netanyahu tha se po e bënte këtë propozim për një qeveri uniteti për shkak të “përmasave të rrezikut ekzistencial dhe mundësisë së formimit të një qeverie që nuk ka kapacitetin për t’u përballur me këtë rrezik”.
“Nëse Likud është i gatshëm për unitet të mirëfilltë, unë jam i gatshëm ta vlerësoj seriozitetin e qëllimeve të tij gjatë 24 orëve të ardhshme”, tha Eisenkot në përgjigje.
Lideri i Yasharit tha se negociatat do të zhvilloheshin mbi bazën e “propozimit të detajuar” që i ishte dërguar Netanyahut të dielën e kaluar. Eisenkot shtoi se “deri në këtë moment, nuk kemi marrë asnjë përgjigje”.
