Këshilltari i BDI-së në Qytetin e Shkupit, Abdulselam Selami, ka dënuar sulmin e raportuar ndaj dy punëtorëve të ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale”. Sipas postimit të tij, dyshohet se punëtorët janë sulmuar fizikisht nga një grup personash të panjohur mbrëmjen e 28 Nëntorit, në Ditën e Flamurit.
Selami i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve kompetente të ndërmarrin masa urgjente për të zbardhur rrethanat e rastit, për të identifikuar autorët dhe për t’i vënë para drejtësisë.
“Asnjë punëtor nuk duhet të jetë viktimë e dhunës gjatë ushtrimit të detyrave të tij të punës”, shkroi Selami.
Ai kërkoi gjithashtu nga kryetari i Qytetit të Shkupit dhe nga drejtuesit e “Higjienës Komunale” të japin sqarime publike, të dënojnë sulmin e raportuar dhe të marrin masa për mbrojtjen e punëtorëve.
