Burri që dje rrahu bashkëshorten e tij, e cila tani lufton për jetën në KARIL në Shkup, ndodhet në Spitalin Psikiatrik në Bardovc. Gruaja ka katër brinjë të thyera, hemorragji në tru dhe lëndime të tjera të rënda trupore. Nga MPB-ja i kanë thënë “Sloboden Peçat” se bëhet fjalë për një “person me shëndet mendor të çrregulluar”.

Sipas MPB-së, dje në orën 14:10, në një fshat të Gostivarit, policët e Njësisë Policore Galatë e privuan nga liria M.M. (52) nga i njëjti fshat. Më herët, babai i tij kishte denoncuar se rreth orës 12:30, në shtëpinë familjare, M.M. e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 42-vjeçare me një send të mprehtë dhe i kishte shkaktuar lëndime.

Gruaja fillimisht mori ndihmë në spitalin e Gostivarit. Për shkak të lëndimeve të rënda, ajo u dërgua pa ndjenja në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup. Atje mjekët konstatuan lëndime të rënda trupore dhe e mbajtën për mjekim.

Gjatë arrestimit, M.M. bëri rezistencë, i sulmoi fizikisht policët dhe plagosi njërin prej tyre. Për rastin u njoftua prokurori publik, ndërsa M.M. u dërgua në Spitalin Psikiatrik – Shkup. Pasi rasti të dokumentohet plotësisht, kundër tij do të ngrihet kallëzim penal, njoftojnë nga MPB-ja.

Gruaja u soll dje në gjendje të rëndë në Qendrën Urgjente në Shkup. Më pas, me jetë në rrezik, u transferua në Kujdesin Intensiv të KARIL-it. Nga KARIL-i i kanë konfirmuar “Sloboden Peçat” se ajo ka brinjë të thyera./”Слободен Печат”

The post GRUAJA QË PO LUFTON PËR JETËN NË KARIL PAS RRAHJES NGA BASHKËSHORTI KA KATËR BRINJË TË THYERA first appeared on .