Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka regjistruar gjithsej 13 shkelje të rendit dhe qetësisë publike gjatë festimit të Ditës së Flamurit Shqiptar, në rajonet e Shkupit, Tetovës, Ohrit dhe Kumanovës.
Sipas njoftimit të MPB-së, lidhur me ngjarjet janë ngritur dy kallëzime penale për veprat „drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik“ dhe „përpunim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim i palejuar i armëve ose lëndëve shpërthyese“. Gjithashtu, janë përpiluar 10 procesverbale për kundërvajtje, ndërsa tre persona janë privuar nga liria.
Në rajonin e Shkupit janë regjistruar shtatë shkelje të rendit dhe qetësisë publike, kryesisht në zonat e Bit Pazarit dhe Gjorçe Petrovit. Sipas policisë, janë evidentuar raste të heqjes, grisjes ose dëmtimit të simboleve shtetërore dhe simboleve të bashkësive etnike, zënka dhe sjellje të pahijshme, si dhe kundërvajtje në trafik.
Ndërkohë, ndaj një fëmije është ngritur kallëzim penal për veprën „drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik“, ndërsa dy persona janë privuar nga liria gjatë hetimeve.
Në rajonin e Tetovës janë regjistruar dy shkelje të rendit dhe qetësisë publike nga fëmijë që kanë përdorur mjete piroteknike në sheshin e qytetit. Policia ka evidentuar edhe një rast gjatë të cilit flamuri shqiptar është vendosur në një automjet policie. MPB-ja njofton se po ndërmerren masa për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Në Kërçovë dhe Strugë, në rajonin e Ohrit, janë regjistruar dy raste. Në Kërçovë, në sheshin e qytetit janë vendosur disa flamuj të Republikës së Shqipërisë, ndërsa në Strugë flamuj shqiptarë janë vendosur në një shkollë fillore pa u vendosur edhe flamuri i Maqedonisë së Veriut. Për këtë të fundit, ndaj personit përgjegjës në shkollë do të iniciohet procedurë kundërvajtëse.
Ndërkaq, në Kumanovë, gjatë një defilimi me automjete në qendër të qytetit, policia ka ndaluar një person, pasi gjatë kontrollit tek ai është gjetur një pistoletë e markës „Cërvena Zastava“ dhe një karikator me pesë fishekë. Personi është privuar nga liria nën dyshimin për armëmbajtje dhe tregtim të palejuar të armëve.
MPB-ja ka bërë të ditur se po vazhdon me hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të të gjitha rasteve, si dhe me ndërmarrjen e masave në përputhje me kompetencat ligjore.
