Pas paralajmërimeve të kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti se nëse preket gjuha shqipe sheshet e Shkupit do të mbushen, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Faton Ahmeti, u pyet se çfarë do të bëjnë konkretisht. Ai u mundua të përgjigjet me pyetje.

-Ju pyes juve si shqiptar, si ju duket ky proces?
-Unë juve ju pyes se unë jam në rolin e gazetarit?
-Si ndiheni ju si shqiptar në këtë rast?
-Nuk mund të përgjigjem, cilat janë mekanizmat tuaj?
-Mendoj që çdo shqiptar ndihet i kërcënuar dhe çdo shqiptar nuk ndjehet rehat me këto kërcënime të vazhdueshme që u bëhen proceseve politike të cilat janë arritur me shumë mund në shtetin tonë. Reaksioni do të jetë ashtu si do të kërkoj koha dhe momenti”, tha Faton Ahmeti – Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.

Për mesazhet e Ahmetit dhe BDI-së, Mickoski u përgjgj duke thënë se ata janë të shqetësuar.

“Ata janë të shqetësuar dhe është normal që të dërgojnë mesazhe të tilla, përndryshe unë nuk kërcënoj, kjo nuk është pjesë e karakterit tim…Unë kur e bëj këtë, e bëj pa kërcënime”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.

Nga ana tjetër kreu i LSDM-së, Venko Filipçe thotë se retorika për destabilizim të vendit është pjesë e folklorit politik. Filipçe thotë se nëse ka rrezik për destabilizim të vendit, duhet të reagojnë institucione e sigurisë.

“Shikoni, kjo shihet se është pjesë e folklorit tonë çdo ditor politik. Kërcënime për destabilizim, përgjigje nga kryeministri, se ka mundësi, pastaj përgënjeshtrime nga resorët, ministritë përgjegjëse, që kjo është e pamundur, është e pamundur. Vlerësoj se përveç folklorit tonë mes partive politike, me të vërtet nuk ka hapësirë për frikë dhe panik. Nëse ka, atëherë pres që institucionet të analizojnë dhe të reagojnë”, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Jo vetëm për çështjen e gjuhës, Ahmeti dhe Micksoski u përplasën edhe për ndikimet në gjyqësor por edhe për deklaratën e kryeministrit kur tha se ka ndjenjë se për politikanët e opozitës po afrohen probleme. Sipas BDI-së, Mickoski me këtë kërcënon dhe e keqpërdor pushtetin.