Përderisa punonjësit protestuan se nuk kishin marrë paga, drejtuesit e postës rritën pagat e tyre për më shumë se 50%. Edhe pse Posta e Maqedonisë prej vitesh po funksionon me humbje, kjo nuk e ka penguar drejtoreshën Bujare Abazi që në vitin 2023, në kundërshtim me ligjin të marrë vendim për rritjen e pagave të ekipit të drejtorit.
Këto janë disa nga gjetjet të Entit Shtetëror për Revizion.
“Në shtator 2023, pavarësisht rezultatit financiar të vazhdueshëm negativ, Shoqëria rriti pagën neto mujore të drejtorëve të departamenteve, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm dhe drejtorit të përgjithshëm përkatësisht për 42% në 58%, gjë që nuk është në përputhje me Ligjin për Shoqërit tregtare. Sipas ligjit, në rast të një fitimi të zvogëluar ose të një përkeqësimi të ndjeshëm të gjendjes financiare të shoqërisë, kompensimi i pagës dhe përfitimet e tjera të parashikuara në kontratën e menaxhimit mund të ulen”, thuhet në raportin e Revizorit Shtetëror.
Sipas raportit të Revizorit Shtetëror për 7 vjet është akumuluar humbje nda 17 milionë euro. Interesante është se Shoqëria po përballet me një borxh të madh në bazë të kredive, kredive dhe interesat e akumuluara, të cilat nuk shërbehen në kohën e duhur, gje e cila po e përkeqëson situatën financiare.
Enti Shtetëror për Revizion gjithashtu ka analizuar edhe cilësin e shërbimeve dhe përcaktuan dorëzimin e parakohshëm të dërgesave.
“Në vitin 2023, 59,7 për qind e dërgesave janë dorëzuar në ditën e parë, ndërsa 30,5 për qind janë dorëzuar në një periudhë më të gjatë se tre ditë. Këto rezultate tregojnë një devijim nga qëllimet e vendosura nga Unioni Universal Postar, i cili përshkruan një standard minimal prej 75% dhe një standard maksimal prej 88% për dërgesat e dorëzuara me kohë”, thuhet më tej në raportin e Entit Shtetëror për Revizion.
Revizori konstaton gjithashtu se në vitin 2021, më shumë se 700,000 euro janë paguar për kryerjen e një regjistrimi të thelluar të operacioneve të SHA Posta e Maqedonisë dhe përgatitjen e një studimi fizibiliteti.
Posta e Maqedonisë prej vitesh është në gjendje katastrofike. Qytetarët ankohen vazhdimisht për shërbimet, të pakënaqur janë edhe punonjësit të cilët në periudhën e kaluar disa herë kanë protestuar për paga më të larta dhe kushte më të mira, ndërsa ndërtesa qendrore e postës po shembet edhe në infrastrukturë, pasi është përfshirë në zjarri dhjetë vjet më parë dhe që atëherë asnjë nga autoritetet nuk e ka restauruar atë për ta vënë përsëri në funksion. Paralajmërimet e fundit janë se me ndihmën e parave europiane godina e Postës së Maqedonisë së Veriut do të rinovohet.
