Pushteti negocion për shumicë të sigurt prej 2/3-ve në Kuvend. Thonë se kur do të vijë koha do të informojnë për cilët deputetë bëhet fjalë. Ata bënë thirrje që të bashkëngjiten të gjithë që i zbatojnë politikat e tyre. Në Kuvend pritet që të gjenden më shumë ligje për të cilat nevojiten 80 vota “PËR”, ndërsa mes tyre edhe ai që do të mundësojë bashkim të Agjencisë për Siguri Kombëtare me Agjencinë e Zbulimit.
“Së pari le të gjendet ligji në rend të ditës, shpresoj se do të sigurohet shumicë prej dy të tretave sa është e nevojshme. Jam i bindur në këtë”, tha Malisha Stankoviq nga VMRO-DPMNE.
Opozitarja LSDM është kategorikisht kundër bashkimit të agjencive, ndërsa Fronti Europian ende nuk tregon se si do të veprojë.
“Do të dalim në konferencë për shtyp për këtë çështje”, u shpreh Rina Ajdari nga BDI.
Deputetja e opozitës Sllavjanka Petrovska në intervistë theksoi se pushteti nuk ka kapacitet për t’i bashkuar këto agjenci. Megjithatë, sipas saj, zgjidhja së shpejti do të gjendet para deputetëve që të shmanget tërheqja e emërimit të Bojan Hristovskit në krye të ASK-së.
“Kjo do të jetë, në thonjëza, mënyrë elegante për ta shmangur tërheqjen e këtij drejtori. Thjesht do të emërojnë një drejtor të ri në krye të shërbimit të bashkuar për zbulim”, potencoi Sllavjanka Petrovska nga LSDM.
Në prokurori paraprakisht u bashkuan dy kallëzime penale që kanë të bëjnë me emërimin e Hristovskit. Kontestohet certifikata e tij për gjuhën angleze që e ka marrë në Pllovdiv, Bullgari. Nga Prokuroria për TV21 thonë se procesi është në fazë parahetimore dhe prokurorët janë duke marrë veprime për ta vërtetuar gjendjen por nuk zbulojnë çfarë veprime.
