
Tre pjesëtarë të sigurimit të kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi janë lënduar në një aksident trafiku në rrugën magjistrale Ohër-Kërçovë, afër fshatit Novosellë. Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, por do të mbahen në spital. Kryeparlamentari Gashi e ka konfirmuar rastin gjatë vizitës së sotme në zyrat e Kuvendit për kontakt me qytetarët në Ohër, duke theksuar se personat janë në gjendje të mirë shëndetësore, por sonte do të mbahen në spital, transmeton Portalb.mk.
“Janë bërë të gjitha kontrollat dhe analizat. Mjeku dhe drejtori i spitalit na bënë me dije se nuk ka lëndime të rënda, por do t’i mbajnë sonte në rast se do të ndodhë ndonjë gjë ndërkohë. Sipas të gjitha informacioneve, gjithçka është në rregull me të tre”, tha Gashi.
Rasti, siç theksoi ai, është edhe një mesazh për të gjithë të përfshirë në ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër që të punojnë intensivisht dhe me cilësi.
“Fatkeqësisht, ky është një mesazh tjetër për të gjithë ata që punojnë në rrugën Ohër-Kërçovë, që të punojnë më intensivisht sepse të gjithë qytetarët vuajnë dhe askush nga ne nuk është imun ndaj gjërave të tilla. Mund t’i ndodhë çdo qytetari. Uroj që sa më shpejt të shërohen dhe të mos i ndodhë askujt”, tha kryetari i Kuvendit Gashi.
MPB-ja ka njoftuar se sot në ora 10:45 në MPB-në e Ohrit është njoftuar se në rrugën magjistrale Ohër-Kërçovë, afër fshatit Novosellë, komuna e Debërcës, nga rruga ka dalë vetura e tipit “Seat Altea” në pronësi të Ministrisë së Brendshme, i drejtuar nga J.L.(37), me të cilin pasagjerë ishin I.B. dhe B.M, të gjithë punonjës policie.
