Të punësuarit në shtypshkronjën “Napredok” ankohen se pronari u ka borxh 10 rroga dhe se procesi gjyqësor i nisur në janar 2024 nuk ka përparuar për shkak të anulimit të vazhdueshëm të seancave. Ata protestuan dhe kërkuan ndërhyrjen e Qeverisë dhe të ministrisë përkatëse, duke theksuar se kërkesa e tyre e vetme janë rrogat e papaguara. Sipas të punësuarve kjo kompani është në proces falimentimi, ndërsa udhëheqësja e falimentimit, e caktuar nga shteti, nuk është paraqitur asnjëherë dhe nuk ka komunikuar me ta, ndonëse ka për detyrë t’i përkrahë.
“Pronari neve na ka borxh 10 rroga. Jemi ankuar dhe procedura është në gjykatë nga janari i 2024. Nuk ka asgjë në gjykatë. Anulohen seancat çdo herë kur kemi marr pjesë. Udhëheqësja e falimentimit nga Velesi atë se kemi parë asnjëherë, pasi që shteti e ka caktuar. Ne se kemi marr dhe ajo duhet neve të na përkrahë, udhëheqësja e falimentimit dhe avokat kemi. Në janar u mbyll pastaj na dhanë pushim kolektiv. Tre-katër muaj dhe më pas na jepnin vërtetim se jemi në punë a ne ishim në shtëpi. Apelojmë te Qeveria aktuale që ky rasti jonë të shqyrtohet dhe te ministria jonë pse ka ngel? Ne kërkojmë vetëm rroga”
“Unë personalisht i ruaj mesazhet deri tek falimentuesi që e kam thirr të paktën një herë ta na kontaktojë dhe ndihmojë, se ajo që duhet të komunikoj me ju. As nuk e kemi parë, në asnjë seancë nuk na kanë pyetur që të tregojmë hallet tona. Çdo seancë anulohet. I sëmur është gjykatësi, i sëmur është falimentuesi, të gjithë janë të sëmurë. Nëse janë të sëmur le t’i ndërrojnë të sjellin njerëz që punojnë. A do punonte dikush pa 10 rroga të marra?”
Të punësuarit në shtypshkronjën Napredok aty kanë punuar mbi 40 vite, ndërsa kjo është një ndër shtypshkronjat më të vjetra në rajonin e Tetovës. Kjo shtypshkronja ka qenë pronë shtetërore, ndërsa më pas me procesin e privatizimit u privatizua dhe ka funksionuar deri në fund të vitit 2023.