U.D. drejtori i Spitalit të Specializuar për Gjeriatri, Muhsin Arifi dyshohet se ka kërkuar 100 mijë euro për të pranuar një pacient në spital, për të cilin kishte informacione se ishte në gjendje të mirë financiare. Ai u arrestua dje nën dyshime për marrjen e ryshfetit prej 20 mijë eurosh, por kjo, sipas Prokurorisë, në fakt ka qenë vetëm një pjesë e shumës që familja e pacientit ishte e detyruar t’i dorëzonte.

Sipas Prokurorisë, Arifi disa herë ka kërkuar drejtpërdrejt para nga dëshmitari i rastit, i cili ishte përkujdesës deri në vdekjen e personit që ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjendja e pacientit ishte përkeqësuar, ndërsa drejtori i spitalit të geriatrisë, në një rast, kishte propozuar që të shitej edhe banesa e pacientit për t’i paguar atij 100 mijë euro. Prokuroria Publike ka kërkuar masë paraburgimi për dy të dyshuarit.

“Në takim, i akuzuari i parë personalisht ka thënë se e di se pacienti është në gjendje të mirë financiare, për shkak se ka të dhëna dhe për patundshmërinë që posedon, andaj ka premtuar akomodim nëse shpërblehet me 100 000 euro. Gruaja-dëshmitare ka reaguar duke thënë se janë shumë para, pas çka drejtori ka propozuar që deri te shuma e kërkuar të arrijnë përmes shitjes së patundshmërisë-banesës që e ka poseduar pacienti, që në fakt nuk ka qenë opsion për shkak se banesa ka qenë e përfshirë në marrëveshjen për kujdes deri në vdekje”, thotë Prokuroria Publike Themelore për përndrjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Disa ditë më vonë gruaja që ka kërkuar akomodim për pacientin ka marrë thirrje nga i akuzuari i dytë në këtë rast i cili ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit, e më pas ka pasur takim me të dhe me drejtorin Arifi.

“Është dakorduar që dëshmitari të jap 20 000 euro si garanci për akomodimin e pacientit në spital dhe nëse i dyshuari i parë “me kontrollonte” konstatonte se pacienti ka edhe pronë shtesë të patundshme, të shitej, që të sigurohej shuma totale e kërkuar prej 100 000 euro. Sipas kësaj marrëveshjeje, më 08.04.2025, këtë vit, dëshmitarja ka takuar të dyshuarin e dytë, i cili ka hyrë në veturën e saj dhe në emër të drejtorit drejtpërdrejtë ka pranuar shumën prej 20 000 eurove, pas së çka në vendin e ngjarjes është kapur nga nëpunësit policor”, thotë MPB.

Arifi paraprakisht ishte drejtor i spitalit Psikiatrik në Bardovcë, ndërsa u vendos në postin e u.d. drejtor i Geriatrisë si kuadër i ASH-së së Taravarit. Dje edhe ministri Taravari u bëri thirrje organeve kompetente shtetërore për procedurë të shpejtë dhe efikase për të zbardhur rastin. Secili që ka gabuar para ligjeve patjetër të bartë përgjegjësi pa dallim të përkatësisë etnike, fetare apo politike, porositi Taravari përmes kumtesës.