Nisma “Kush e ka radhën” insiston që pushteti të vendos të ashtuquajturin “e-inspektor”. Ata zyrtarisht parashtruan kërkesë deri te Qeveria, duke thënë se kështu çdo qytetarë do ta dijë në çfarë objekti po ulet, ndërsa qëllimi është që të dihet nëse lokalet janë të sigurta.
“Kjo do të jetë faqe ku secili prej nesh do të mund ta shkruaj emrin e subjektit, lokalit ku planifikon të pijë kafe, të zbavitet dhe kështu me radhë dhe në këtë faqe do të publikohet i gjithë dokumentacioni, të gjithë mbikëqyrjet inspektuese – nëse janë pozitive apo negative”, tha Umer Muhamedi.
Thonë se janë të gatshëm t’i ndihmojnë pushtetit për të realizuar “e-inspektorin” por kanë edhe kërkesa të tjera posaçërisht në pjesën e gjyqësorit, të cilat do t’i dorëzojnë në etapa. Një prej tyre është ndryshimi i mënyrës së dhënies së provimit gjyqësorë, por nuk e dinë nëse do të marrin mbështetjen e partive në pushtet.
“Ne kërkojmë mbështetje nga pushteti, nga shumica, që të na i miratojnë këto kërkesa që janë për të mirën e të gjithë ne. Nga ndonjë parti politike konkretisht nuk e di, ndoshta ka, por kjo nuk do të thotë që ka shumicë që ato të kalojnë në Kuvend”, deklaroi Muhamedi .
Nga “Kush e ka radhën” theksuan se ato nuk do të shndërrohen në parti politike. Nisma filloi të funksionojë pas aksidentit tragjik të trafikut ku jetën humbi e reja Frosina Kullakova. Kërkesat e tyre filluan të rriten pas tragjedisë në diskotekën në Koçan, ndërsa për nesër paralajmëruan protestë para Qeverisë dhe Këshillit gjyqësor për shkak të, siç thonë, dënimit të ulët me burg prej 2 vjetëve që gjykata e Tetovës ia shqiptoi vozitësit që goditi për vdekje 22 vjeçaren Teodora.