Doganierët në pikën kufitare Tabanovce parandaluan një përpjekje për transferim të paligjshëm të valutës së huaj, duke sekuestruar 64,250 euro, njoftoi Administrata Doganore,raporton Faktiditor.info

Rasti u zbulua në hyrje të vendit gjatë kontrollit të një makine me targa gjermane, të drejtuar nga një shtetas grek.

Kur u pyet nga doganierët nëse kishte diçka për të deklaruar, pasagjeri deklaroi se mbante me vete 60,000 euro, për të cilat ai paraqiti një formular të lëshuar me hyrjen në Serbi.

Megjithatë, doganierët dyshuan në deklaratën e tij dhe, së bashku me një oficer policie të Frontex, kryen një kontroll të detajuar të automjetit. Gjatë kontrollit, u gjetën gjithsej 124,250 euro në para të gatshme.

Në përputhje me Ligjin për Operacionet e Këmbimit Valutor, shtetasit grek iu kthyen 60,000 eurot e deklaruara, ndërsa 64,250 eurot e mbetura iu konfiskuan.

Kundër personit është ngritur procedurë kundërvajtjeje para gjykatës kompetente.

Administrata Doganore informon se që nga fillimi i këtij viti janë zbuluar gjithsej 30 raste të transferimit të paligjshëm të valutës së huaj. Në këto raste, deri më tani janë sekuestruar 820,675 euro, 141,300 paund britanikë dhe 35,000 dollarë australianë./Faktiditor.info/