Gazetar: Suad Bajrami
Tre javë pasi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi aktakuzë kundër ish gjyqtarin e Apelit Gjoko Ristov, Gjykata Penale e Shkupit ende nuk e ka kryer vlerësimin, shkruan Alsat. Sipas Ligjit për Procedurë Penale, Këshilli i Gjykatës duhet të vlerësojë nëse aktakuza e Prokurorisë i përmbush kushtet për ndjekjen penale të të akuzuarit. Nëse Gjykata e miraton aktakuzën, atëherë vijon faza e fillimit të gjykimit.
Ish gjyqtari Ristov ngarkohet nga Prokuroria për veprat penale fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, pasi në shtëpinë e prindërve të tij u gjetën 350 mijë euro të fshehura në një bunker special në mur.
Ristov mohonte akuzën duke theksuar se paratë nuk ishin të tij, por të prindërve që i kishin fituar nga shitja e rrushit dhe pronave, megjithatë Prokuroria javë më parë demantoi këto pretendime.
Prokurorja e çështjes, Iskra Haxhivasilevska në një takim me gazetarët konfirmoi që nëpërmjet ekspertizës janë gjetur gjurmët biologjike të gjyqtarit Ristov në fletët e aluminit me të cilat janë mbështjellë 350 mijë eurot. Plotësisht, në vendin ku janë fshehur paratë, janë gjetur edhe disa letra në të cilat ka pasur të shkruara numra evidentues të lëndëve gjyqësore, e të cilat sipas Prokurorisë, asociojnë me detyrën që ka ushtruar Ristovi.
Ristov ra në rrjetën e Prokurorisë pasi i arratisuri nga drejtësia për rastin “Zinxhir” – Lupço Pecov apo i njohur me nofkën “Djalli” ka lajmëruar në Prokurori se po i kërkojnë 100 mijë euro për t’ia hequr paraburgimin. Ndërmjetësues i “Djallit”, do të ishte përfaqësuesi i tij ligjor, ish Avokati i Shtetit Fehmi Stafa, i cili paratë i kishte kërkuar me pretendimin për ta korruptuar gjyqtarin Ristov.
Megjithatë Stafa nuk kishte arritur t’i marrë të gjitha paratë. Si për fillim Stafa kishte marrë 30 mijë euro, por më pas autoritetet e kapën në flagrancë duke e marrë pjesën e dytë prej 20 mijë eurosh.
Pas katër muajve në paraburgim, në marrëveshje me Prokurorinë Stafa e pranoi fajësinë, ndërsa Gjykata e dënoi me 15 muaj burg.
Ndërkohë Pecov apo “Djalli” vazhdon të jetë i akuzuar në rastin “Zinxhir”, megjithatë pasi e ka paguar dëmin, Gjykata ia ka shfuqizuar arrestin shtëpiak, ndërsa aktualisht është nën masa më të lehta kujdesi. /Alsat.mk
The post 350 mijë euro të fshehura në mur, Gjykata ende s’e ka vlerësuar aktakuzën kundër ish gjyqtarit Gjoko Ristov appeared first on Alsat.
