Këngëtari i njohur ndërkombëtarisht por mjaft i debatueshëm për mendësinë e tij antisemite, Kanye West do të mbajë një koncert në Tiranë mbrëmjen e sotme.
Aktiviteti zhvillohet mes polemikave të shumta për përdorimin e 4 milionë eurove nga qeveria shqiptare, që iu morën fondit të Emergjencave Civile, me pretendimin se koncerti “ndikon në promovimin e turizmit dhe të imazhit të Republikës së Shqipërisë”.
Por ҫfarë mendojnë qytetarët e Tiranës? Disa prej tyre, duke folur për DW, theksojnë se fondet e dhëna nga qeveria mund të shkonin për spitale dhe arsim, apo edhe për pensione që janë në shifra skandaloze.
Një qytetare madje përmendi edhe se disa prej të prekurve nga tërmeti i disa viteve më parë nuk janë kthyer ende në shtëpitë e tyre dhe se këto para që jep qeveria për koncertin, mund të shkonin për ta.
“Jam kundër koncertit se duke qenë që Shqipëria ka problematika të tjera dhe koncerti është gjëja e fundit për të cilën duhet të mendojmë. Janë spitalet pa rregulluar, ujë dhe drita nuk ka.”, tha një qytetare.
“Qeveria shqiptare ka paguar 4 milionë euro për organizimin e këtij koncerti ndërkohë që vendi po zien nga protestat për spitalet, për arsimin dhe sigurinë në vend. Kështu që ata para duhet të investoheshin në arsim dhe spitale.”, shtoi një qytetar tjetër.
“Mendoj se kemi shumë pika ku duhet të kapemi si shtet për të rregulluar vendin në mënyrë që turistët që do të vijnë ta kenë më të lehtë qasjen si në transportin publik dhe shumë pika të tjera që duhet të investohet.”
“Protestoj kundër show-t që bëri kryeministri me paratë e popullit sepse ka mungesa në spitale, ka pensione skandaloze dhe ka akoma nga ata që nuk jaë kthyer në shtëpitë e tyre pas tërmetit. Me 4 milionë euro mund të kishim blerë zjarrfikëse.”
The post 4 milionë euro për koncert, qytetarët: Ende ka familje pa banesa pas tërmetit appeared first on Alsat.
