Gazetare: Melihate Rustemi

Pavarësisht që “7 Marsi” është ditë uratash dhe mirënjohjeje, mësimdhënësit e shkollës fillore “Abdyl Frashëri” në Haraçinë e shfrytëzuan këtë datë për të ngritur alarmin mbi vështirësitë që po hasin në procesin edukativ. Mësimdhënësit thonë se mes zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe ndryshimeve sociale pas pandemisë, figura e mësuesit po përballet me barriera të reja. Mësuesja e grupit klasor, Hamdije Sinani shprehet e shqetësuar për ndryshimin e qasjes së nxënësve ndaj autoritetit të mësuesit. Sipas saj, periudha pas pandemisë ka lënë pasoja të dukshme në sjellje të fëmijëve.

“Pas pandemisë gjithçka ka ndryshuar, nuk është ai respekti kur mësuesi të thotë fjalën duhet të respektohet, nuk është më e njejta asgjë, ka ndryshuar. Ndoshta edhe teknologjia ndikon shumë për arsye se nxënësit më së shumti mirren me bullizime, me ofendime, nënçmime, çdo dit hasim këto probleme. Rregullisht prindërit i informojmë që edhe ata duhet të ndërmarrin masa jo vetëm nga ana jonë”, deklaroi Hamdije Sinani, mësuese, sh.f “Abdyl Frashëri”, Haraçinë.

Nga ana tjetër, Azam Ramadani, mësimdhënës i Gjuhës Shqipe, vë theksin te rreziku që i kanoset gjuhës dhe mendimit kritik nga keqpërdorimi i teknologjisë. Ai vëren se nxënësit po e shohin arsimin si një proces mekanik.

“Po e shoh teknologjinë dhe intelegjencën artificiale që ka një ndikim shumë të madh për ruajtjen e gjuhës shqipe. Ato më shumë po fokusohen në rrjetet sociale. Sot nxënësit e shohin procesin arsimor vetëm si mënyrën copy-paste e jo siç e kemi mar ne nga arsimtarët tanë. Duhet ta përdorim teknologjinë sepse është një zhviliim I mir, është një burim I mir por jo edhe ta dëmtojmë drejtshkrimin e gjuhës shqipe”, tha Azam Ramdani, mësimdhënës I Gjuhës Shqipe, sh.f “Abdyl Frashëri”, Haraçinë.

Mesazhi i thuajse të gjithë mësuesve është i qartë, teknologjia duhet të shërbejë si mjet zhvillimi, por jo në dëm të dijes së mirëfilltë dhe etikës njerëzore. /Alsat.mk

The post “7 Marsi”, për dikë festë e për dikë alarm për vështirësitë që po hasin në procesin arsimor appeared first on Alsat.