Gazetar: Suad Bajrami

Në ditë simbolike të hapjes së shkollës së parë shqipe, në Shkup u hodh gurthemeli për ndërtimin e kampusit të ri universitar “Nënë Tereza”, pasi paraprakisht autoritetet siguruan të gjitha lejet e nevojshme. Në hedhjen e gurthemelit, pjesëmarrës ishte kreu shtetëror, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski investimin e quajti strategjik.

“Ky projekt, paraqet investim strategjik në ardhmërinë e shtetit. Investim i cili do të krijojë kushte moderne për arsim, punë shkencore dhe zhvillim akademik”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ministrja e Arsimit Vesna Janevska Janevska theksoi që kompleksi duhet të jetë gati për 5 vite.

“Për afërsisht 5 vite prej tani, gjegjësisht në vitin 2030 në këtë vend duhet të kemi kampus universtar modern, në të cilin nuk do të jetë çështje se a është e mundshme plotësimi i dispozitave të rregullativës së re ligjore për arsim të lartë dhe shkencë që është lëndë e debatit të gjerë për momentin”, u shpreh Vesna Janevska, Ministre e Arsimit.

Shuma e përgjithshme për këtë projekt do të jetë 42 milionë euro, ndërsa me këtë sipas kreut të Çairit Izet Mexhiti do të përmirësohet klima ekonomike në Çair.

“Ky kampus e shndërron Shkupin dhe Çairin në një qendër të rëndësishme universitare, që do të thotë më shumë mundësi për studentët tanë, më shumë dije, më shumë kërkim shkencor, më shumë zhvillim intelektual, më shumë dinjitet akademik për gjuhën dhe arsimin shqip”, deklaroi Izet Mexhiti, Kryetar i Çairit.

Kampuysi i ri do të ndërtohet në hapësirë prej 31 mijë metra katrorë dhe do të paraqes kompleks akademik, amfiteatro, hapësira studentore, salla sportive, pishinë dhe infrastrukturë tjetër. Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup u themelua në dhjetor të vitit 2015, ndërsa ndër vite e ka ndjekur golgota e mungesës së hapësirave të nevojshme. /Alsat.mk

The post Deri në vitin 2030 pritet ndërtimi i Kampusit Nënë Tereza, autoritetet hodhën sot gurthemelin appeared first on Alsat.