Tani e tetë muaj po jetojnë nën shkëmbin që i zuri derën e shtëpisë. Hendeku sa vjen e rritet duke rrëshqitur kodra nga uji mineral që buron nga toka në hyrje të fshatit Likovë. Familja Shukriu me dy shtëpi po jeton nën kanosjen e rrezikut për jetë, derisa presin autoritet për të marrë masa.
Çarja e tokës në këtë zonë nuk ka të ndalur, posaçërisht kur ka të reshura atmosferike. Krisja e mureve rrethore të oborrit dhe e ahurit të kafshëve shtëpiake janë alarm se të radhës janë dy shtëpitë ku banojnë mbi 10 njerëz. Në rrezik është edhe rruga regjionale.
“Tani e 8 muaj rrëshqitja e dheut këtu në hyrje të fshatit të Likovës është bërë makth për dy familjet, të cilat janë detyruar të kthehen dhe të banojnë në shtëpitë e tyre, edhe pse me rrezik të përditshëm, në pritje të një vendimi nga autoritet lokale, të cilat thonë se po presin një vendim nga lart, nga qeveria, për të vendosur nëse do të spostohet pjesa e dheut, apo do të dislokohen këto dy shtëpi”, raporton Adi Qaili, gazetar i TV21.
Familja Shukriu për katër muaj i ka braktisur shtëpitë. Nga fillimi i dhjetorit mbeten shiritat për një zonë me rrezikshmëri të lartë. Kryefamiljari fton urgjentisht të intervenohet me grryerjen e kodrës që mos të vij deri te fatkeqësia me pasoja në njerëz. Rruga e tyre mbetet ende e bllokuar dhe detyrohen të bartin ujë me kova ngaqë janë këputur dhe gypat.
“Momentalisht unë kam ardhur prej 4 muajsh nga vendet tjera, nuk ka asgjë as prej komunës e as prej qeverisë, kemi hy në shtëpi e po presim. Mund të ndodh edhe më e keqja, por nuk di si t’ja bëjmë me këtë shtet që nuk kujdeset për ne, se kur vjen dita nuk e di. Çfarë ju thonë? Po s’ka mjete komuna, po ja lënë fajin qeverisë, kjo e fundit nuk po ndërmerr masa aspak. E kur të bëhet dëmi më i madh edhe pse vijnë, kot e kanë”, u shpreh Agim Shukriu, pronar i shtëpisë në Likovë.
Nga Komuna e Likovës thonë se janë në pritje të miratimit të buxhetit nga qeveria për të nisur me gërryerjen e kodrës. Thonë se kjo zonë nuk ka qenë e paraparë për ndërtime.
“Mos sigurimi me kohë i mjeteve financiare dhe shtyrja e sanimit mund të çojnë në aktivizim të mëtejshëm të rrëshqitjes së tokës, zgjerim të zones së prekur, dëmtime shtesë të objekteve dhe infrastrukturës, si dhe rritje të kostove totale për ndërhyrje të ardhshme. Për më tepër, ekziston rrezik real per nevojën e evakuimit të popullsisë dhe kufizimin e shfrytëzimit të hapesirave publike, gjë që do të kishte pasoja serioze sociale dhe ekonomike”, thonë nga komuna e Likovës.
Nga Qeveria thonë se pas shqyrtimit të kërkesë së Komunës për sigurimin e ndihmës financiare për sanimin e rrëshqitjeve aktive të tokës në Likovë, sollën këtë konkluzion.
“Miratohet kërkesa për sigurimin e mjeteve financiare nga buxheti i shtetit, duke marrë parasyshë shkallën e rrezikshmërisë për popullsinë, objektet dhe infrastrukturën lokale. Obligohen ministria përkatëse, Komuna e Likovës dhe Qendra për menaxhim me krizat të koordinohen për kohën dhe punimet në terren. Komuna duhet të merr pjesë me buxhet 20%”, thonë nga qeveria.
Raporti i inspektimit të 02.12.2025 nga Enti Gjeologjik tregon se është riaktivizuar pas shumë vitesh një pllakë fosile shkëmbore me çarje me përmasa nga 20 cm deri në 1m të gjera, rreth 4-5m të thella dhe rreth 100-150m të gjata. Raporti thotë se çarja është ndihmuar nga reshjet e fundit atmosferike, duke rrezikuar stabilitetin e tokës. Enti propozon për gërryerjen në kaskada, hapjen e tre vrimave gjeologjike në përcaktimin e llojit të shkëmbit dhe sasinë e saj që ka rrëshqitur dhe të merren masa urgjente për rehabilitimin e stabilizimin e saj.
