Ministria e Jashtme e Iranit ka thirrur në takim të ngarkuarin me punë të Ukrainës për t’i dorëzuar një notë proteste lidhur me atë që e cilësoi si një sulm “armik dhe kriminal”, pasi akuzoi Kievin se ka sulmuar një anije tregtare iraniane në Detin Kaspik.

Manouchehr Moradi, zëvendësministër i Jashtëm i Iranit, i përcolli të ngarkuarit me punë të Ukrainës “protestën e fuqishme” të Teheranit dhe u zotua se Republika Islamike “nuk do ta lërë pa përgjigje këtë veprim”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Tasnim.

Irani tha se sulmi ukrainas rezultoi me një shpërthim, ku mbeti i vrarë një marinar dhe u plagos një tjetër. Ky pretendim i Teheranit nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Sulmi dhe hapi diplomatik, për thirrjen në takim të emisarit ukrainas, rritën edhe më shumë tensionet mes dy vendeve, në një kohë kur dhuna është përshkallëzuar edhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme, pas luftës që nisi me sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 25 korrik se forcat e Kievit kishin goditur një anije luftarake ruse dhe mjete lundruese që përdoreshin për transportimin e ngarkesave ushtarake, të lidhura me Iranin, në Detin Kaspik.

Ukraina ka arritur “rezultate shumë të mira” në sulmet me rreze të gjatë veprimi të kryera gjatë natës në Detin Kaspik, përfshirë kundër mjeteve lundruese që përdoreshin për transportimin e ngarkesave ushtarake “me pjesëmarrjen e Iranit”, shkroi Zelensky në Telegram.

Kievi dhe Perëndimi që një kohë të gjatë e kanë dënuar Iranin për furnizimin e Rusisë me dronë të dizajnuar nga Irani, të cilët janë përdorur kundër forcave ukrainase pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Kremlini në shkurt të vitit 2022.

Kievi ka ofruar ekspertizën e tij për neutralizimin e dronëve vendeve të Lindjes së Mesme, që kanë qenë cak i sulmeve iraniane.

Zelensky, në një deklaratë më vonë gjatë 25 korrikut, tha se shërbimet ukrainase të inteligjencës kanë zbuluar që nga fillimi i korrikut se ka “mbikëqyrje aktive satelitore ruse mbi shtetet e Gjirit dhe objektet ushtarake amerikane të vendosura atje. Këto pamje më pas përfundojnë në Iran”.

“Po ashtu, ekziston një lidhje e qartë midis imazheve satelitore që Rusia mbledh për këto objekte dhe sulmeve iraniane, si para sulmeve, gjatë përgatitjeve për to, ashtu edhe pas tyre, që bëhen për të vlerësuar dëmet e shkaktuara”, tha Zelensky.

Udhëheqësi ukrainas pretendoi se vetëm më 19 dhe 20 korrik, vëzhgimi satelitor rus kishte përfshirë katër baza ajrore: dy prej tyre në Bahrejn, një në Jordani dhe një në Kuvajt – të gjitha vende arabe aleate të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme./REL.

The post Teherani qorton të dërguarin e Ukrainës pas sulmit ndaj një anijeje iraniane në Kaspik appeared first on Alsat.