Deputeti i VLEN, Adnan Azizi, ka publikuar një postim në rrjetet sociale ku theksonte se “Shqipja nuk preket” dhe se Kuvendi e respekton 100% përdorimin e gjuhës shqipe, duke iu referuar të dhënave nga raporti i publikuar në “Gazetën Zyrtare” për vitin 2025.

Megjithatë, në dokumentin e shpërndarë nga vetë ai, u vunë re detaje që ngritën dyshime dhe reagime të shumta nga publiku. Sipas tabelës së publikuar, rezulton se nga 178 publikime të Qeverisë, asnjë nuk është bërë në gjuhën shqipe, çka bie në kundërshtim me pretendimet për respektim të plotë të ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Pas valës së kritikave dhe komenteve negative në rrjetet sociale, Azizi ka vendosur të mbyllë komentet në postimin e tij.

Reagimet e qytetarëve e kanë cilësuar këtë si një “gafë”, duke theksuar se vetë dokumenti i publikuar rrëzon narrativën e paraqitur nga deputeti.