Gazetare: Melihate Rustemi

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se së shpejti do të bëjë publike emrat e kompanive që kanë manipuluar me deklarimin e produkteve të qumështit. Sipas Agjencisë, nga java që vjen pritet të publikohen rezultatet e analizave për produktet e përpunuara të mishit. Drejtori i Agjencisë, Oliver Millanov tha se me produktet e qumështit ku janë konstatuar deklarata të rreme, nuk është cenuar siguria ushqimore.

“Nga gjithsej dhjetë kompani të përfshira në këtë rast, dy janë importuese ndërsa tetë janë vendore. Po zhvillohen kontrolle të brendshme për të përcaktuar nëse parregullsitë kanë qenë të rastit apo kanë vazhduar për një periudhë më të gjatë. Kur në deklaratë shkruhet se produkti përmban 24 për qind yndyrë, ndërsa analizat tregojnë vetëm 5 për qind, kemi të bëjmë me mashtrim ndaj konsumatorëve. Produkte të tilla asgjësohen dhe dërgohen në deponi”, deklaroi Oliver Millanov, Drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.

I pyetur për vonesat e kamionëve me domate nga Shqipëria në pikën kufitare të Bllacës dhe ankesat e eksportuesve për dëmet e shkaktuara nga pritjet e gjata, Millanov, tha se kontrollet janë të domosdoshme për garantimin e sigurisë ushqimore.

“Nga përvoja e viteve të kaluara kemi hasur shumë mbetje pesticidesh dhe kimikatesh në domate dhe tranguj, si dhe prani të metaleve të rënda, nitrateve dhe mikotoksinave që nuk i plotësojnë standardet e lejuara. Për disa operatorë më e rëndësishme është që mallrat të kalojnë sa më shpejt, por ne do të kontrollojmë çdo produkt ushqimor që hyn në vend, pavarësisht destinacionit të tij.”, tha Oliver Millanov, Drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.

Në kuadër të shënimit të 15 vjetorit të Agjencisë, drejtori Milanov tha se nga qershori i vitit 2024 deri më sot janë asgjësuar mbi 800 ton ushqime të pasigurta, ndërsa më shumë se 300 ton produkte janë kthyer në vendin e origjinës ose janë asgjësuar brenda vendit. /Alsat.mk

 

The post Agjencia e Ushqimit: Deklarimet e rreme në produktet e qumështit nuk kanë cenuar sigurinë ushqimore appeared first on Alsat.