Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përcjellë një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, duke theksuar rëndësinë e lirisë, pluralizmit, dialogut dhe barazisë.

Në një status të publikuar në Facebook, Ahmeti shkruan se demokracia përfaqëson testin më të lartë të pjekurisë politike dhe nuk duhet të kufizohet vetëm te institucionet apo proceset zgjedhore.

“Demokracia është më shumë se një arkitekturë institucionesh dhe më shumë se një proces elektoral. Është besëlidhja e heshtur mes shtetit dhe qytetarit se liria nuk negociohet, dinjiteti nuk relativizohet dhe barazia nuk mbetet vetëm një parim në letër”, deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, në një shoqëri të ndërtuar mbi diversitetin, demokracia e vërtetë nuk kërkon uniformitet, por krijon hapësirë për dallimet dhe i jep pluralizmit dinjitet institucional.

“Ajo e shndërron bashkëjetesën nga një nevojë historike në një vlerë shtetformuese”, theksoi kreu i BDI-së.

Ahmeti vlerëson se demokracia duhet të jetë kulturë e shoqërisë dhe standard i çdo institucioni, strukture politike, gare dhe procesi vendimmarrës. Ai shton se paqja e qëndrueshme ndërtohet mbi demokraci, ndërsa demokracia e qëndrueshme mbështetet te respekti, dialogu dhe barazia.

Duke iu referuar sfidave dhe ndryshimeve që prekin rajonin dhe Evropën, Ahmeti tha se përgjigjja duhet të jetë më shumë demokraci, më shumë dialog dhe më shumë maturi në vendimmarrje.

“Ky është standardi që i duhet vendit tonë, si themel i një të ardhmeje të përbashkët, më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më evropiane. Ky është drejtimi që na afron me Evropën”, përfundoi Ali Ahmeti.