Gazetare: Amila Rashiti

Situata me zjarret në rajon e Evropë vazhdon të mbetet kritike. Shqipëria dhe Greqia janë ndër vendet që po përballen me vatra aktive. Në Shqipëri 5 vatra mbeten ende aktive nga 35 të raportuara në 24 orët e fundit. Forcat operacionale dhe automjete zjrrëfikëse janë të angazhuar vazhdimisht në terren. Rajonet që ende përballen me zjarre janë: Dajti, Mirdita, Pukë, Malësia e Madhe dhe Gramshi.

Nga ana tjetër edhe në Greqi flakët po djegin sipërfaqe pyjore dhe toka bujqësore në Korfuz, Tebë dhe rajonin e Evrosit. Sipas Shërbimit Zjarrfikës grek, zjarri më problematik është regjistruar pranë fshatit Temploni, në veri të Korfuzit.

“Ka shkatërrim të madh. Ka njerëz që kanë nevojë të madhe për mbështetjen tonë – që ne t’u ofrojmë mbështetje psikosociale, ndihmë të parë për shëndetin fizik dhe atë mendor, si dhe informacione, kryesisht mbi atë që duhet të bëjnë pas zjarrit, në ditët në vijim; pra, si do të jenë gjërat për ta në ditët pas kësaj katastrofe që shohim këtu.” – Kryqi i Kuq Grek.

Autoritetet e Mbrojtjes Civile u kanë dërguar banorëve në zonë njoftime në celularë, duke u kërkuar që të jenë në gatishmëri në rast se u kërkohet evakuimi.

“Po përjetojmë një tragjedi. Çfarë mund të themi? Humbëm dy persona nga lagjja. Kemi qenë fqinj këtu prej vitesh. U dogjën shtëpitë e dy miqve shumë të dashur. Këtu jemi të gjithë si një familje. Por pësuam këto humbje. Dhe, në thelb, humbëm natyrën. Humbëm mjedisin natyror, që ishte pikërisht arsyeja pse erdhëm dhe qëndruam këtu.” – Banore.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon. / Alsat.mk

The post Alarm për zjarret në Shqipëri dhe Greqi: Flakët dalin jashtë kontrollit appeared first on Alsat.