Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dënoi ashpër sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani.
Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se veprimet e tilla nuk i trembin dhe nuk i shtyjnë të tërhiqen nga gara politike në asnjë qytet.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, sulmin ndaj kryetarit të Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj e quajti shpërfaqje të mendësisë banditeske.
“U sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë teksa po pinte kafe me deputeten, Arjeta Fejza dhe deputetët të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që shpërfaqë mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjmë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet. Nga kjo mbledhje u bëmë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit dhe drejtësisë që me urgjencë të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm”, tha Kurti.
Aktualisht, zëvendësministri i Financave dhe kandidati për deputet nga Vetëvendosje, Hysni Mehani është shtrirë në repartin e neurologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, pas lëndimeve të marra nga sulmi./rtv21/
