Një fëmijë pesëvjeçar është lënduar rëndë pasi ka rënë nga ballkoni i shtëpisë së tij në Gostivar gjatë mbrëmjes së djeshme. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Gostivarit, e cila njoftoi se fëmija është dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.

Sipas raportit zyrtar nga SPB Tetovë, rasti është denoncuar rreth orës 19:00 nga Qendra Urgjente në Gostivar, ku fillimisht fëmija ishte dërguar për ndihmë të parë. Mirëpo, për shkak të shkallës së lartë të lëndimeve dhe nevojës për trajtim më të specializuar, i vogli është transportuar menjëherë drejt Kompleksit të Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.

Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë familjare në Gostivar, ndërsa ekipi i Departamentit të Punëve të Brendshme në Gostivar ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik.