Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet qëllim strategjik i shtetit dhe një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme të Maqedonisë, thotë Ministri i Punëve Timço Mucunski, e që sipas të cilit integrimi evropian kërkon seriozitet, përgjegjësi dhe konsensus kombëtar rreth çështjeve më të rëndësishme shtetërore. Kryediplomati i bëri apel opozitës për arritjen e konsensusit në Kuvend rreth agjendës reformuese, konkretisht për Kodin Zgjedhor dhe reformat në drejtësi, në mënyrë që vendi të mund t’i shfrytëzojë mjetet nga fondet evropiane.
“Prandaj sot dua të bëj një thirrje të qartë ndaj opozitës – ta lëmë mënjanë politikën ditore kur bëhet fjalë për të ardhmen evropiane dhe të tregojmë pjekuri dhe konstruktivitet rreth reformave që janë kyçe për shtetin, veçanërisht reformave që lidhen drejtpërdrejt me agjendën evropiane dhe Planin e Rritjes – para së gjithash Kodi Zgjedhor dhe ligjet për drejtësinë”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Thirrjes së Mucunskit iu përgjigj kreu i LSDM Venko Filipçe i cili akuzoi pushtetin se v etëm deklarativisht mbështet integrimin evropian, ndërsa në praktikë nuk i çojnë përpara reformat kyçe. Sipas Filipçes, reformat e vërteta për BE-në janë ndryshimet kushtetuese, fillimi i negociatave dhe hapja e kapitujve me Bashkimin Evropian.
“Ai kërkon reforma në Evropë, nuk do Timçe Mucunski reforma në Evropë. As Hristijani, as banda. Reformat quhen ndryshime kushtetuese dhe fillim i negociatave, hapje e kapitujve. Kjo është rruga e vërtetë përpara, të mos na hedhin hi syve, të mos na gënjejnë. Dhe nëse nuk duan, le të largohen, sepse do të përgjigjen. Edhe Timço edhe të gjithë”, u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Nga ana tjetër Mucunski theksoi se bëhet fjalë për reforma që ndikojnë drejtpërdrejt në kredibilitetin e shtetit, sundimin e ligjit dhe aftësinë e shtetit për t’i shfrytëzuar mundësitë që i hap Bashkimi Evropian, duke paralajmëruar se çdo bllokim, zvarritje apo politizim i këtyre proceseve paraqet goditje ndaj perspektivës evropiane të shtetit.
