Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me urdhër për procedurë hetimore ndaj dy personave për pranim të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm. Të dyshuarit, njëri kryetar gjykate dhe tjetri administrator gjyqësor në periudhën nga janari i vitit 2023 deri në 2025, së bashku dhe me paramendim, duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare, kanë kërkuar dhe pranuar shpërblim në para në shumë prej 8.000 eurosh, me qëllim të ndërhyrjes te një gjyqtar i Gjykatës Themelore të Gostivarit dhe te Gjykata e Apelit në Gostivar.

“Në fillim të vitit 2023, të dyshuarit i kanë premtuar një personi që ishte palë në një procedurë civile se do ta ndihmonin. Për kompensim prej 5.000 eurosh, ata duhej të ndërhynin te një gjyqtar në Gjykatën e Gostivarit që të merrte vendim për përsëritjen e procedurës për të cilën ishte marrë vendim refuzues. Pasi nuk kishin arritur sukses, sërish, me kërkesë të të dyshuarve për para shtesë në shumë prej 3.000 eurosh, duhej të ndërhynin te gjyqtarët e shkallës së dytë për anulimin e vendimit me të cilin nuk ishte lejuar përsëritja e procedurës. Më vonë, shuma prej 800 eurosh i ishte dhënë si shpërblim të dyshuarit të dytë me qëllim që të kryente një punë lidhur me një dokument me shkrim të dorëzuar nga përmbaruesi”, thanë nga Prokuroria.

Prokuroria ka propozuar caktimin e masave të kujdesit për të dy të dyshuarit, përkatësisht ndalim të largimit nga vendbanimi, konfiskim i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit  si dhe ndalim për kryerjen e aktiviteteve të punës që lidhen me veprën penale./Alsat.mk.

The post Hetim për korrupsion në gjyqësor: dy të dyshuar për ndikim të paligjshëm appeared first on Alsat.